Mimoza Kusari-Lila Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mimoza Kusari-Lila zgjidhet u.d. e kryesuesit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, është zgjedhur ushtruese e detyrës së kryesuesit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas njoftimit të kësaj partie, ajo u votua për ta ushtruar këtë detyrë deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

“Mimoza Kusari-Lila është deputetja që sidomos në legjislaturën e fundit ka treguar përkushtim dhe përgjegjësi të lartë në adresimin e çështjeve të rëndësishme për ne dhe për vendin. Asaj i urojmë sukses në detyrën dhe përgjegjësinë e saj të re”, thuhet në njoftimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Siç bëhet e ditur, nga 51 deputetë të pranishëm, me 45 vota për, 2 vota kundër, 3 vota abstenim dhe 1 e zbrazët, Kusari-Lila u votua për drejtimin e grupit parlamentar.