Milaim Zeka shpallet i pafajshëm në rastin e ‘mashtrimit me viza’ - VIDEO

Milaim Zeka, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës në rastin e ‘mashtrimit me viza’.

Gjykata i ka liruar tre të akuzuarit nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Sipas trupit gjykues nuk është arritur me asnjë dëshmi të provohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Zeka, Krasniqi dhe Kërliu akuzohen nga Prokuroria për veprat penale mashtrimi, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje parash.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se Mialim Zeka dhe Ilir Krasniqi  që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me 2 qershor 2016 themelojnë biznesin si agjension punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosoves në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Milaim Zeka, Edmond Kerliu dhe Ilir Krasniqi ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.