Më shumë se 60 emigrantë të mbytur në një anije të fundosur pranë Libisë

Rreth 61 emigrantë besohet se janë mbytur në Detin Mesdhe pasi anija e tyre u përmbyt nga dallgët e larta në brigjet e Libisë, thuhet në një njoftim të bërë nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të shtunën vonë.

Shumica e viktimave ishin nga Nigeria, Gambia dhe vende të tjera afrikane. Në mesin e viktimave kishte edhe gra dhe fëmijë.

Në bordin e varkës, e cila u nis nga Zuwara në bregun perëndimor të Libisë, kishte 86 persona, thanë dëshmitarët për IOM-in.

Autoritetet i transferuan 25 të mbijetuarit në një qendër paraburgimi në Libi.

IOM tha se “ka siguruar mbështetje mjekësore” për të mbijetuarit për të cilët organizata thotë se ishin të gjithë në gjendje të mirë.

“Një nga rrugët më të rrezikshme të migrimit në botë”

Sipas IOM, “Mesdheu qendror vazhdon të jetë një nga rrugët më të rrezikshme të migracionit në botë”.

Zëdhënësi i IOM-it, Flavio Di Giacomo ka thënë se më shumë se 2,250 njerëz kanë vdekur këtë vit në rrugën qendrore të emigrantëve në Mesdhe.

Sipas tij kjo është një “shifër dramatike që tregon se fatkeqësisht nuk po bëhet mjaftueshëm për të shpëtuar jetë në det”.

Deti Mesdhe është një nga rrugët kryesore për emigrantët në Afrikë për të arritur në Evropë, nëpërmjet Italisë.

Mbërritjet e emigrantëve nga deti në Itali janë pothuajse dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me rreth 140,000 njerëz që kanë dalë në breg deri më tani këtë vit.

Incidente të tjera vdekjeprurëse këtë vit përfshinin fundosjen e një varke peshkimi të mbushur me qindra emigrantë jashtë Greqisë në qershor.

Anija ishte nisur nga Tobruku, Libi dhe u regjistruan 78 vdekje.

Fati i 518 personave mbetet i panjohur, sipas një raporti të IOM./DW

Përgatiti: Taulant Osmani