Mbroni fëmijët në rrugë duke mos u dhënë lëmoshë - VIDEO

Një numër i lartë i fëmijëve në Kosovë nuk arsimohen ashtu siç edhe do dëshironin, pasi që keqpërdoren nga persona të ndryshëm për qëllime të ndryshme.

Fëmijë të shumtë të cilët kërkojnë lëmoshë nëpër rrugë janë viktima të trafikimit, abuzimit e madje edhe të keqpërdorimit.

Këtyre fëmijëve u shkelen të drejtat e tyre themelore. Trafikimi i fëmijës sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve nënkupton rekrutimin, transportimin, transferimin, strehimin, marrjen e fëmijëve për qëllime shfrytëzimi.

Ndërsa shfrytëzimi sipas Ligjit për Mbrojtje të Fëmijëve përfshin edhe shfrytëzimin për lëmoshë, kryerje të shërbimeve apo punës së detyruar.

Ofrimi i lëmoshës për këta fëmijë nuk është ndihmë për ta. Prandaj kursejini ata në mënyrë që të mos pasurohen abuzuesit e tyre.

Institucionet relavante kosovare kanë nisur fushatë kundër shfrytëzimit të fëmijëve.

Në shumë raste Policia e Kosovës më saktësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuar të cilët kanë trafikuar e shfrytëzuar fëmijët për qëllim të përfitimit.

Trafikimi, shfrytëzimi janë vepra penale të cilat ndëshkohen me ligjet e Kosovës.

Andaj raportoni krimin dhe shpëtoni fëmijët nga abuzues të ndryshëm. Në rast se keni identifikuar persona të dyshuar se po keqpërdorin apo shfrytëzojnë fëmijët, lajmëroni Policinë e Kosovës në numrat 192 apo edhe në 0800 11 112.

Mbroni fëmijët duke mos u dhënë para si lëmoshë.