Foto: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Facebook
Inspektorati mbyll mbi 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate
Mbi 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut gjatë një aksioni inspektimi të realizuar nga 3 deri më 8 qershor.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njftuar se ndaj këtyre bizneseve janë shqiptuar edhe afër 50 masa ndëshkuese.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka realizuar një aksion të gjerë inspektimi tek operatorët ekonomikë të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare – aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi) dhe aktivitete tjera të argëtimit dhe rekreacionit (muzikë nate)” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.
MINT thotë se inspektimet janë bërë në rreth 90 operatorë ekonomike bashkë me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit të Njerëzve të Policisë së Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Mbylljet janë bërë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike, sipas këtij njoftimi.
Inspektimet e tilla, sipas Ministrisë do të vazhdojnë dhe do të merren masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi, në rastet kur konstatohen shkelje.