Mbretëria e Bashkuar e konfirmon furnizimin me raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

Mbretëria e Bashkuar e ka konfirmuar se po e furnizon Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi të cilat kjo e fundit i kërkoi për luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Raketa naviguese Storm Shadow ka një rreze prej mbi 250 km, sipas prodhuesit.

Sa për krahasim, raketat Himars të furnizuara nga SHBA të përdorura nga Ukraina kanë vetëm një rreze veprimi prej rreth 80 km.

Këto armë do t’i japin Ukrainës aftësi të reja ndërkohë që ajo po përgatitet për një kundërsulm kundër Rusisë.

Këto raketa lansohen/shkarkohen nga avionët, kështu që distanca më e madhe do të thotë që pilotët ukrainas do të jenë në gjendje të qëndrojnë më larg nga vijat e frontit.

Sapo të lansohet, Storm Shadow bie në lartësi të ulët për ta shmangur zbulimin nga radari i armikut, përpara se të kapet në objektivin e tij me një kërkues infra të kuqe.

Njoftimi u bë në Dhomën e Komunave nga Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace. Vendimi vjen pas lutjeve të përsëritura nga Ukraina për më shumë armë nga Perëndimi.

Wallace ka thënë se raketat “do t’i japin mundësinë Ukrainës të zbrapsë forcat ruse të përqëndruara në territorin sovran të Ukrainës”.

Tutje Wallace ka thënë se Britania e Madhe e mori këtë vendim pasi Rusia “vazhdon me rrugën e saj të errët” për ta shënjestruar infrastrukturën civile në Ukrainë.

“Dhurimi i këtyre sistemeve raketore i jep Ukrainës mundësinë më të mirë për t’u mbrojtur kundër brutalitetit të Rusisë”, u tha Wallace deputetëve.

Ai tha se raketat janë “duke hyrë” ose tashmë janë në duart e autoriteteve të Ukrainës dhe e përshkroi vendimin si “të kalibruar dhe proporcional me përshkallëzimin e Rusisë”.

Megjithatë, Wallace paralajmëroi se rrezja e “Storm Shadows” e furnizuar nga Britania “nuk është në të njëjtën ligë” me sistemet e raketave të Rusisë – me disa nga armët e Moskës zyrtare që mund të udhëtojnë shumë më tej.

Duke cituar shifra ukrainase, Wallace e akuzoi Rusinë për kryerjen e 70,000 krimeve të luftës në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022.

Krimet përfshijnë dëbimin dhe internimin e fëmijëve, si dhe bombardimin e infrastrukturës civile, ka thënë Wallace.

Më herët këtë vit, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksii Reznikov këmbënguli se raketat me rreze më të gjatë nuk do të përdoren për t’i sulmuar objektivat brenda vetë Rusisë.

“Nëse ne mund të godasim në një distancë deri në 300 kilometra, ushtria ruse nuk do të jetë në gjendje të sigurojë mbrojtje dhe do të duhet të humbasë”, pati thënë Reznikov gjatë një takimi me zyrtarë të BE-së.

“Ukraina është e gatshme të japë çdo garanci që armët tuaja nuk do të përfshihen në sulmet në territorin rus”.

Në muajin shkurt, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak pati deklaruar se është i përgatitur të dërgojë raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë dhe qeveria britanike hapi një proces tenderimi për prokurimin e tyre.

Të enjten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska zyrtare do të ndërmarrë një përgjigje ushtarake “të përshtatshme” ndaj çdo arme Storm Shadow të furnizuar nga Britania e përdorur nga forcat ukrainase.

Raketa Storm Shadow është operuar nga forcat ajrore britanike dhe franceze dhe është përdorur më parë në Gjirin Persik, Irak dhe Libi.

Raketat e furnizuara nga Britania mund të gjuhen vetëm me avionë, por raketat franceze mund të gjuhen nga anijet dhe nëndetëset./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala