Mblidhet Këshilli i Etikës së UP-së, dëshmojnë tri studente që denoncuan profesorin për ngacmim seksual

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po mban mbledhje në të cilën po dëshmojnë tri studente të cilat janë në mesin e rreth 27 vajzave që e kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual.

Mbledhja është e hapur për media, mirëpo është kërkuar që për shkak të konfidencialitetit të dëshmitareve që janë duke dëshmuar aktualisht, mediat të mos marrin pamje.

Në të njëjtën kohë, Lëvizja Feministe Studentore ka organizuar protestë për këto zhvillime.

E pranishme u pa edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj, e cila i bëri thirrje Këshillit së Etikës të marrin parasysh integritetin psiqik dhe fizik të studenteve.

“Kam ardhur sot këtu t’i bëj thirrje Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës që të veprojë shpejt edhe drejt që të ndalojë këtë rrugëtim kaq të dëmshëm, këtë denigrim të personalitetit dhe integritetit psiqik dhe fizik të studenteve tona”- ka thënë Reshitaj.

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina, Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezart Galica.

Më 07.04.2024, Kallxo Përnime transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se ua kishte bërë derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre tri studenteve, në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisje e kësaj dite kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsultime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëj masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.Universitetit të Prishtinës, më 11.04.2024, pretendohet se Universiteti i Prishtinës është ballafaquar edhe me bojkotim të mësimit nga studentët.

Kurse, Universiteti i Prishtinës ka reaguar në lidhje me denoncimin për ngacmim seksual që 27 studente i kanë bërë profesorit Xhevat Krasniqi, duke kërkuar më shumë kohë për trajtimin e këtij rasti.

Këshilli i Etikës, sipas UP-së, thotë se ky rast “meriton hapësirë kohore” në mënyrë që të dëgjohen dhe shqyrtohen deklarimet e secilës palë.

Sipas UP-së, “nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”.

Në komunikatën e lëshuar nga UP-ja më 12.04.2024 thuhet se deri tani janë mbajtur tri seanca dhe se rasti po trajtohet me urgjencë.

“Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, UP-ja ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga të gjitha format e presionit.

“UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore”, thuhet mes tjerash në komunikatën në të cilën asnjëherë nuk është permendur fjala “ngacmim seksual”.