Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Mbështetja e Kurtit për Ardita Sinanin e Ragmi Mustafin, Aliu: Ka qenë gabim, duhet të rregullohet

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, e ka cilësuar si “gabim” pozicionimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përkrah një partie politike për zgjedhjet në Luginë të Preshevës.

Deklarata e Aliut erdhi pasi kryeministri Kurti më 29.05.2024 ka marrë pjesë në një tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës.

Në tubimin e mbajtur në Prishtinë, të pranishëm kanë qenë edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi dhe kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani.

Ministri Aliu tha se mendon që nuk ka qenë mirë që është mbështetur vetëm një subjekt politik.

“Unë mendoj që nuk ka qenë mirë që është mbështetur vetëm një subjekt politik, unë personalisht pavarësisht se po të kisha të drejtën e votës në Preshevë mbase do e kisha votu Ardita Sinanin, por prapëseprapë nga pozicioni i Prishtinës, duhet të jemi mjaft të kujdesshëm karshi qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për shkak se ata janë në situatë delikate dhe të ndjeshme”- ka deklaruar Aliu në emisionin Info plus në RTK.

Sipas Aliut, mbajtja e anës së një subjekti politik karshi të tjerave të lë më pak hapësirë të përçosh mesazhin e unitetit te këto subjekte.

“Mbajtja e anës të një subjekti politik karshi të tjerave të lë më pak hapësire të përçosh mesazhin e unitetit tek këto subjekte, gjë që mendoj se ka qenë gabim dhe duhet të rregullohet kjo çështje, duhet të bëhet çmos që qytetarët e Preshevës ta ndjejnë Prishtinën njëjtë, pavarësisht prej dallimeve partiake””- është shprehur ai.

“Mendoj që në këto zgjedhje me këtë mesazh që e kemi dërgu vetëm për një subjekt politik ka qenë gabim dhe kjo gjë duhet të rregullohet sa më parë”- ka theksuar Aliu.

Më tej, Aliu ka thënë se pozicionimi i Kurtit ka qenë gabim, pasi siç thotë ministri, “ai shihet si kryeministër me të cilin qytetarët duan të bashkohen një ditë”.

“Unë s’po mundem të rri neutral në këtë pikë për shkak se jam me origjinë nga Presheva dhe pavarësisht orientimit dhe simpatisë që kam personale, ka qenë gabim dhe ka qenë veprim i gabueshëm. Ka qenë gabim, për shkak se është kryeministër i Kosovës, qysh do qoftë prej pozicionit të kryetarit të partisë, ai shihet si kryeministër me të cilin ata duan të bashkohen një ditë”- nënvizoi Aliu.

Gjatë tubimit që u mbajt më 29.05.2024, kryeministri Kurti ka thënë se Lugina e Preshevës bart një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore për të gjithë.

“Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, bart një trashëgimi të pasur kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të ndjeshme. Kemi parë shumë sfida qe ka kaluar Lugina, diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në dokumente janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët. Qeveria ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale e ekonomike. Kemi investuar dhe do të vijojmë të investojmë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje”- ka thënë ai.

Kurti tutje u ishte përgjigjur kritikave për mbështetje të vetëm dy kandidatëve në këto zgjedhje.

“Më kanë thënë se nuk bën të marr pjesë vetëm tek dy kandidatë, por unë shkoj aty ku më thërrasin”- u shpreh Kurti.

Ndërsa, Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, ka thënë se Lugina e Preshevës nuk ka jetë pa mbështetjen e Prishtinës.

Kandidati i kësaj partie për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, ka thënë se do të bëjë çmos që bashkërisht të japin të ardhme për shqiptarët që jetojnë në Bujanoc.

Ndërsa kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen ndërsa ka thënë se zgjedhjet në Luginë janë të një rëndësie të veçantë.

Në anën tjetër, Partia për Veprim Demokratik, e udhëhequr në Preshevë nga Ardita Sinani, ka fituar më së shumti mandate në kuvendin komunal të Preshevës, në zgjedhjet e përsëritura lokale, të mbajtura edhe në jug të Serbisë – me shumicë shqiptare – më 02.06.2024.

Zgjedhjet në Luginë, Kurti u përgjigjet kritikave për mbështetje: Unë shkoj aty ku më thërrasin