Obejkti i ri i SHFMU "Dëshmorët e Kombit" në Vraniq ende i pa përfunduar. FOTO: KALLXO.com

MASHTI për objektin e ri të shkollës në Vraniq: Objekti mund të përfundohet në fund të këtij viti

Minsitria e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), është deklaruar lidhur shkollën “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Vraniq të Suharekës, për gjendjen e të cilës KALLXO.com raportoi të shtunën.

Nga Departamenti i Infrastrukturës në këtë ministri kanë pohuar se sipas kantatës ka qenë e paraparë që më 14 qershor 2022 të përfundojnë punimet për finalizimin e objektit të ri të shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq.

“Më datë 14.06.2022 ka qenë e paraparë me kontratë që të përfundojnë punimet. (Kontrata është 3 vjeçare nga data e nënshkrimit)”- thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Mirëpo, MASHTI ka dhënë disa arsyetime se përse një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

“Vonesa në fillim të punëve për arsye të piketimit, krijimit të kushteve për ndërtim, (krijimi i stabilitetit të objektit për arsye të kategorisë së dobët të tokës si gërmim, ngjeshje, zhavorr, etj); Vonesat janë paraqitur edhe nga Marsi i vitit 2020 kur ka filluar Pandemia Covid 19, nuk është punuar me dinamikë ashtu siç ka qenë e paraparë; Ngritja e çmimeve në treg ka bërë që projekti të ngadalësohet në realizim e sipër, siç jeni të njoftuar për ngritjen çmimeve nga Marsi-Prilli i vitit 2022” – ka qenë përgjigja e ministrisë të cilët kanë bërë të ditur se vlera e kontratës për ndërtimin e objektit të ri në SHFMU “Dëshmorët e Kombit” është 1,182, 931.10 euro.

Gjithashtu, nga MASHTI kanë thënë se nëse nuk ka vonesa për fillimin e punëve, objekti mund të përfundohet në fund të këtij viti.

“MASHTI ka të kontraktuar kompaninë mbikëqyrëse profesionale “ENGGROUP” që ka bërë mbikëqyrjen e punimeve deri më tani. MASHTI në mars të këtij viti do të monitorojë në bashkëpunim edhe me kompaninë mbikëqyrëse dhe punë kryese për fillim të punëve, në të kundërtën mund të formojë komision për shkëputje të kontratës” – ka theksuar MASHTI.

Javën e kaluar KALLXO.com ka vizituar shkollën “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq të Suharekës dhe ka raportuar për gjendjen në të cilën ka mbetur ky institucion arsimor.

Karriget e bankat e vjetra e vende-vende të dëmtuara dhe myku nëpër mure e vjetërsia edhe e shkollës edhe nga jashtë ishin disa prej problemeve që kishte evidentuar KALLXO.com.

Në një prononcim për KALLXO.com Bajram Rraqi, drejtor i kësaj shkolle kishte shpjeguar se një ndër arsyet për gjendjen e saj është vjetërsia që ka objekti i këtij institucioni arsimor i cili është ndërtuar në vitin 1988.

Situatën e shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq e ka cilësuar si shqetësuese edhe Remzi Bajselmani, kreu i Drejtorisë së Arsimit në këtë Komunë. Porse, ai ka thënë se nuk kanë investuar në këtë shkollë ngaqë janë në pritje që nxënësit dhe stafi i kësaj shkolle të dalin në objektin e ri.

Në vitin 2019-të kanë filluar punimet për ndërtimin e ri të objektit shkollor por këto punime ende nuk kanë përfunduar.