VIDEO - Mes vjetërsisë e mangësive, shkolla 'Dëshmorët e Kombit' në Vraniq në pritje të finalizimit të objektit të ri shkollor

Karriget e bankat e vjetra e vende-vende të dëmtuara dhe myku nëpër mure janë disa prej problemeve që kanë kapluar Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq të Suharekës.

Vjetërsia e shkollës bie në sy edhe jashtë objektit të këtij insitucioni arsimor në të cilin vijojnë mësimin 230 nxënës.

Gjendja e bankave dhe karrigeve në SHFMU “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq. FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
Gjendja jashtë objektit të shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq.

Në një prononcim për KALLXO.com Bajram Rraqi, drejtor i kësaj shkolle ka shpjeguar se një ndër arsyet për gjendjen e saj është vjetërsia që ka objekti i këtij insitucioni arsimor i cili është ndërtuar në vitin 1988.

“Shkolla është ndërtuar bukur moti, daton që nga viti 1988 dhe gjatë luftës është djegur tërësisht nga okupatori pastaj shpejt e shpejt e kemi renovuar për të mos e humbur vitin shkollor në atë kohë, domethënë në vitin 1999 dhe ka mbetur shkolla e vjetër” – ka sqaruar drejtori.

Bajram Rraqi, drejtor i SHFMU “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq. FOTO: KALLXO.com

I pyetur për problemet me mykun nëpër muret e klasëve, drejtori ka thënë se ai shkaktohet si pasojë e mungesës së izolimit në shkollë.

“Ne vazhdimisht jemi munduar ta mbajmë të pastër shkollën edhe pse këto myshqe zakonisht bijnë nga kondesnimi i ajrit të ftohtë nga ana e jashtme se nuk ka izolim shkolla dhe ngrohja e brendshme”.

Myku në njërën prej klasëve të shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq. FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Mirëpo, drejtori ka bërë të ditur se pastrimin e mykut detyrohen ta bëjnë vetëm gjatë kohës kur nxënësit gjenden jashtë shkollës.

“Këto nuk guxojmë t’i pastrojmë me mjete të rënda kimike për shkak të pranisë së nxënësve dhe ne detyrimisht presim çdo herë kur nxënësit shkojnë në shtëpi ose ndonjë pushim ne i pastrojmë shpejtë e shpejtë dhe i lëmë ato të ajrosen deri sa të kthenen nxënësit. Kështu kemi vepruar në kërë rast” – është shprehur Rraqi i cili ka thënë se gjatë këtij pushimi dimëror disa klasë janë pastruar e disa janë në pastrim e sipër që kur nxënësit të kthehen në shkollë me 6 shkurt shkolla do të jetë krejtësisht e pastër.

Mjetet për pastrimin e mykut në shkollën “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq. FOTO: KALLXO.com

Mangësi tjetër në këtë shollë del të jetë edhe mungesa e një salle të Edukatës Fizike, mirëpo zëvendësimi i saj është bërë përmes improvizimit ku në hapsirën e një klase janë vendosur disa pajisje sportive të cilat përdoren gjatë lëndës së Edukatës Fizike.

“Sallë të Edukatës Fizike nuk kemi pasur asnjëherë dhe ne e kemi improvizuar një klasë, e kemi bërë si sallë të edukatës fizike ku i kemi mjetet e ndryshme, tabelën e ping-pongut. i kemi dy arsrimtarë të Edukatës Fizike dhe ata i mbajnë orët aty” – ka treguar drejtori teksa ka bërë të ditur se në shkollë e re është duke u ndërtuar edhe salla e Edukatës Fizike.

Salla e Edukatës Fizike e improvizuar në shkollën “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq. FOTO: KALLXO.com

Teksa ka theksuar rëndësinë e një salle të Edukatës Fizike, Rraqi ka thënë se sukseset në sport nuk i kanë munguar kësaj shkolle.

“Edhe pse na ka munguar salla e Edukatës Fizike ne kemi pasur rezultate shumë të mira në gara të ndryshme sportive. Nuk na kanë munguar kurrë rezultatet pse nuk e kemi pasur sallën e Edukatës Fizike. Sigurisht do të kishte qenë 100 herë më e mirë ta kishim edhe sallën” -është shprehur ai.

Zvarritja në përfundimin e punimeve për objektin e ri shkollor

Pak metra tutje nga objekti aktual i insitucionit arsimor “Dëshmorët e Kombit” gjendet ndërtesa ku pritet të jetë shkolla e re, por punimet në këtë objekt kanë mbetur të papërfunduara

Drejtori Rraqi ka shpjeguar se ndërtimi i objektit të ri shkollor ka filluar në vitin 2019.

“Në vitin 2019 ka filluar ndërtimi i shkollës së re. Do të jetë një shkollë moderne e cila do t’i plotësojë në masë shumë të madhe kërkesat e nxënësve, prindërve dhe arsimtarëve… Mësimi do të mbahet vetëm paradite” – ka treguar ai teksa ka shtuar se objekti aktual në të cilin gjendet shkolla e vjetër do të rrënohet dhe në atë vend do të rregullohet oborri i shkollës.

Objeti i papërfunduar i shkollës së re. FOTO: KALLXO.COM

Megjithatë, problemet nuk kanë munguar as në ndërtimin e objektit të ri shkollor, pasi që sipas Rraqit, ky objekt ka qenë i paraparë që të përfundojë në shtator të vitit të kaluar por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Në kushtet e tenderit kjo është dashur të përfundojë me 1 shtator të vitit 2022. Mirëpo, për shkak të pandemisë dhe problemeve tjera sigurisht kjo është zvarritur pak dhe të gjitha gjasat janë që kjo shkollë të fillojë punën me 1 shtator të këtij viti, pra 2023” – ka bërë ai të ditur.

Objeti i papërfunduar i shkollës së re. FOTO: KALLXO.COM

DKA-ja pa kompetencë, MASHTI pa përgjigje

Situatën e shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq e cilëson shqetësuese edhe Remzi Bajselmani, kreu i Drejtorisë së Arsimit në këtë Komunë.

Porse, drejtori thotë se nuk kanë investuar në këtë shkollë ngaqë janë në pritje që nxënësit dhe stafi i kësaj shkolle të dalin në objektin e ri.

“Situata në shkollën e Vraniqit është mjaft e keqe, ne si komunë nuk kemi intervenuar atje në renovim ose në mirëmbajtje të shkollës, të objektit të vjetër me arsyetimin se po bëhet objekti i ri. Kështuqë, jemi në këtë situatë, por shpresojmë që do të fillojnë së shpejti punimet dhe deri në shtator të realizohet ky projekt” – ka thënë Bajselmani.

Remzi Bajselmani, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë. FOTO: KALLXO.com

Një problem tjetër të cilin ai e ka përmendur ka qenë se komuna nuk ka asnjë çasje në këto punime për arsye se  sipas tij, Ministria e Arsimit e përcakton menaxherin e kontratës, mbiqyrësin e punimeve dhe kompania vazhdon marrëveshjet me Ministrinë e Arsimit.

Lidhur me këtë, Bajselmani thotë se kanë kërkuar përgjigje nga MASHTI për punimet në objektin e ri të kësaj shkolle, por që nuk kanë marrë përgjigje nga kjo ministri.

“Ne jemi interesuar për punimet e këtij objekti, kemi bërë pyetje edhe në Minstrinë e Arsimit, kemi shkruar shkresë zyrtare për të cilën nuk kemi marrë përgjigje ende, vetëm që një zyrtar i ministrisë na ka telefonuar (për të pyetur) ‘Për cfarë e keni bërë kërkesën?’ kemi kërkuar që të dalë një komision dhe t’i vlerësoj punimet që janë duke u bërë në terren” – ka thënë Bajselmani.

Objekti i papërfunduar i shkollës së re. FOTO: KALLXO.COM

“Është njëfarë situate e keqe në këtë aspekt sepse ne si komunë nuk kemi fare çasje në këto punime, as një mbikqyrje, as në monitorim, asnjë kompetencë nuk e kemi”- ka shtuar ai teksa ka shpresuar se këto punime do të përfundojnë, duke thënë se tashmë nuk ka arsye për vonesa të mëtutjeshme.

“Ne shpresojmë se tani do të merren seriozisht se vërtetë me një farë forme e kemi arsyetuar. Kanë qenë kushtet pandemike, inflacioni i madh i vitit të kaluar që e kanë prolonguar. Tanimë nuk ka arsye që të ketë vonesa” – ka përmbyllur ai.

Sipas Bajselmanit, hera e fundit kur janë kryer punime në objektin e ri të shkollës ka qenë në dhjetor të vitit 2022.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Minsitrinë e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit por deri në publikimin e këtij shkrimi MASHTI nuk ka kthyer përgjigje.