Marrëveshja për heqjen e vizave pritet të votohet nesër në Komisionin e Parlamentit Evropian

Komisioni kompetent i Parlamentit Evropian pritet të votojë nesër marrëveshjen e arritur mes Përfaqësuesve te Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo marrëveshje e arritur në dhjetor të vitit 2022, pritet të votohet nesër në komisionin për Liri Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zyrtari për media në Parlamentin Evropian, Janne Ojamo.

Ai tha se ata presin që kjo marrëveshje të ketë mbështetje nesër.

“Nesër do të votohet për liberalizimin e vizave me Kosovën në komisionin kompetent (Komiteti për Liri Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme). Ky votim është konfirmim i marrëveshjes nga negociatat ndërinstitucionale në dhjetor dhe ne presim që marrëveshja të ketë një mbështetje të gjerë” – tha Ojamo për KALLXO.com.

Marrëveshja për liberalizmin e vizave për Kosovës pas votimit që do pritet të ndodh nesër më pas do të dërgohet për votim edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të dërgohet për votim në Parlament ndërsa është bërë e ditur se marrëveshja për heqjen e vizave pas Parlamentit duhet ta marrë edhe miratimin në Këshillin e BE-së.

“Ky votim(në komision) do të pasohet me votim nga seanca plenare e Parlamentit. Votimi i fundit nuk është caktuar, por ka mundësi që do të jetë gjatë shkurtit” – thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com

“Përpara se marrëveshja të miratohet përfundimisht, ajo ka nevojë edhe për miratimin e Këshillit të BE-së”- ka thënë për KALLXO.com, zyrtari për media i Parlamentit Evropian.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit të BE-së që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Për liberalizimin e vizave për Kosovën, me 14 dhjetor është arritur marrëveshja mes Përfaqësuesve të Parlamentit dhe Këshillit të BE-së.

Sipas njoftimit për media, “Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës schengen.