Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Sveçla: Zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet në kontrolle shëndetësore

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja që siguron mbështetje të kualifikuar për kontrollet shëndetësore të zyrtarëve policorë.

Ai shtoi se trajtimi i tyre mjekësor me prioritet shkon në mbështetje të misionit të tyre dhe se zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet, duke përfshirë edhe në listat e pritjes në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pra dhe në të gjitha Spitalet Rajonale të Republikës së Kosovës.

“Zyrtarët policorë duhet të jenë në shërbim dhe të gatshëm në përmbushjen e detyrave në çdo kohë. Sot është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Drejtorit të ShSKUK-së Elvir Azizi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, përmes së cilës personelit policorë dhe rekrutëve do të iu ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbimet mjekësore, psikologjike dhe specialistike të nivelit dytësor dhe tretësor në ShSKUK dhe në të gjitha Spitalet Rajonale”- ka njoftuar Svecla.

Sipas tij, në këtë marrëveshje që ka në fokus dhënien e shërbimeve me prioritizim për personelin policorë i është dhënë rëndësi e veçantë edhe shëndetit të gruas në Policinë e Kosovës, përmes kryerjes së kontrolleve në zbulimin e hershëm të sëmundjeve si kanceri i gjirit dhe kanceri i qafës së mitrës, analizave specifike hormonale etj.

“Zbatueshmëria e kësaj marrëveshje do të garantohet përmes zyrtarëve policorë që do të vendosen si pika referuese për zyrtarët policorë në ShSKUK dhe spitale rajonale”- shtoi tutje Sveçla.