Ambasadori gjerman i “heq kapelën” Kosovës për ndihmën ushtarake për Ukrainën

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka lavdëruar gatishmërinë e Kosovës për ta ndihmuar me pajisje ushtarake Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Për këtë angazhim, ambasadori tha më 19.03.2024 se i heq kapelën Kosovës.

“Ndonëse Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën, Qeveria kosovare po e ndihmon Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus duke e mbështetur me pajisje ushtarake. Tepër shumë e lavdërueshme. I heq kapelën” – ka shkruar ambasadori Rohde në rrjetin “X”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka premtuar më 19.03.2024 se Kosova do të vazhdojë ta përkrahë Ukrainën në, siç ka thënë, luftën heroike kundër agresionit rus.

Në një postim në rrjetin “X”, Maqedonci ka njoftuar se gjatë takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG) ka premtuar një pako të dytë të ndihmës ushtarake për Ukrainën, e cila konsiston në predha mortajash.

Sipas ministrit Maqedonci, pakoja e parë me kamionë, automjete taktike dhe të blinduara do të dorëzohen gjatë javës së ardhshme.

Ministri Maqedonci është duke marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës që po mbahet në Gjermani.

Ky është takimi i 20-të i UDCG-së që kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III, e ka themeluar grupin në prill 2022.

Grupi bën bashkë ministra të Mbrojtjes dhe zyrtarë të lartë ushtarakë nga rreth 50 vende, dhe në takimet e tij diskutohet kriza në Ukrainë dhe koordinimi i vazhdueshëm i ngushtë nga komuniteti ndërkombëtar për t’i ofruar popullit ukrainas mjetet e nevojshme për të mbrojtur territorin e tij sovran.