Maloku për këmbimin e pronës komunale: Ka ndodhur duke u bazuar në një vendim të Ministrisë së Ambientit

Drejtoresha e Drejtorisë së Pronës në Komunën e Prishtinës, Doruntinë Maloku ka thënë se procesi i këmbimit të pronës komunale me pronën private në Liqenin e Badovcit, ka ndodhur duke u bazuar në një vendim të Ministrisë së Ambientit të vitit 2020.

Në një konferencë për media, Maloku ka thënë se Ministria e Ambientit kishte obliguar Komunën e Prishtinës, që pronat private në Liqenin e Badovcit, të shpronësoheshin, meqë ligji nuk lejonte ndërtime në atë pjesë.

Më pas, sipas Malokut, pasi Komuna nuk kishte mjete për shpronësim, qeverisja e atëhershme komunale kishte kërkuar që të bëhej këmbimi i parcelave.

“Më 19 janar 2021, kryetari i atëhershëm Shpend Ahmeti i është drejtuar Drejtorisë së Pronës, kërkon që të nisë procedurën e këmbimit të këtyre parcelave, meqë komuna nuk kishte të planifikuar shpronësimin e parcelave. Nuk kishte mjete të mjaftueshme për ta bërë shpronësimin”- ka thënë ajo.

Tutje, Maloku ka thënë se në seancën e fundit të qeverisjes së kaluar, më 16 qershor 2021, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar vendimin për këmbimin e pronave private në Liqenin e Badovcit, me tri prona na lagjen ‘Prishtina e Re’.

“Komuna e Prishtinës në bazë të vendimit të Asamblesë Komunale ka marrë vlerësimin e Ministrisë së Financave, për parcelat që kanë qenë objekt i këmbimit. Nga ky vlerësim, në total pronat private janë vlerësuar 7 milionë e 994 mijë e 128 euro. Ndërkaq, prona komunale është vlerësuar 3 milionë e 75 mijë e 435 euro”.

Drejtoresha Maloku ka thënë se pas vlerësimit, Komuna e Prishtinës ka realizuar kontratën e këmbimit, në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal dhe në bazë të vlerësimit të Ministrisë së Financave.

Ajo ka bërë të ditur se procesi kishte mbetur në gjysmë, pasi sipas saj, nuk ishte bërë vlerësimi i gjithë pronave.

Aktualisht, sipas drejtoreshës Maloku, procedura gjendet tek Ministria e Financave, e cila do të bëjë vlerësimin se sa do të jetë sipërfaqja e pronave që Komuna do të ofrojë për këmbim.

“Jemi në një proces dhe kjo çështje nuk ka marrë epilog. Nuk është aspak e vërtetë se janë këmbyer disa hektarë me 20 hektarë”- ka thënë në fund Doruntinë Maloku.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ishin cak i sulmeve sa i përket çështjes së këmbimit të pronave.

Rama tha se ky proces ka filluar më shumë se dy vjet para se ai të vinte në postin e kryetarit të Prishtinës.

“Kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit. Jemi duke zbatu një proces të rregullt, i miratuar nga Asambleja Komunale dhe është ende proces i papërfunduar. Në këtë rast, kemi ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat ligjor në bazë të vendimeve të ministrive, pasi që pala ka pas vendime të miratuara nga Ministritë për këmbim të pronës e që e obligon kryeqytetin me vepru”- deklaroi Rama.

Tutje, kryetari i Kryeqytetit tha se ka pas keqraportime sa i përket kësaj çështjeje.

“Media të caktuara kanë keqraportu dhe nuk kanë përfshi të gjitha faktet dhe dokumentacionet, kanë keqinformu se kemi dhënë 20 hektarë për 8 hektarë, që është e pavërtetë. Ministria e Financave e bën vlerësimin e pronave. Është thënë që unë e kam bërë këtë këmbim, që është e pavërtetë”- shtoi Rama.

Rama tha se nuk dëmtuar interesin publik por ka trashëguar vendime të institucioneve që kanë cilësuar tokat rreth Badovcit si interes publik.

Kjo çështje në dhjetorin e vitit 2023 u diskutua edhe në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit.

Përparim Rama i drejtohet asamblistes së LVV-së: Ajo që po thua është rrenë!

Para disa ditëve në media është raportuar se Komuna e Prishtinës kishte bërë këmbim të pronës komunale në lagjen ‘Prishtina e Re’, me pronë private në afërsi të Liqenit të Badovcit.