Malisheva. FOTO-Halim Kafexholli

Malisheva merr frymë më lirshëm, 5 ditë pa asnjë të infektuar me COVID-19

Sot është dita e pestë që në komunën e Malishevës nuk ka asnjë të infektuar me coronavirus, ka konfirmuar drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Nuhi Morina.

“Sot është dita e pestë që nuk kemi raste të reja”, tha Morina për KALLXO.com.

Gjithashtu, në këtë komunë janë duke u ritestuar 29 mostra të personave që para një muaji rezultuan pozitivë me CoVID- 19.

“Janë 29 mostra për ritestim, para një muaji kanë qenë pozitiv, tash është duke u bërë ritestimi”, konfirmoi ai.

Komuna e Malishevës është ndër komunat me më së shumti të infektuar me coronavirus në Kosovë. Deri tani nga kjo komunë, 70 të testuar kanë rezultuar pozitivë.

604 persona janë të infektuar nga kjo pandemi në nivel vendi, 128 prej tyre janë shëruar dhe 18 kanë vdekur.