Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV përjashton nga partia Besnik Mujecin, i arrestuar për narkotikë në Shqipëri

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim për shkarkimin e Besnik Mujecit nga strukturat e partisë, pas arrestimit të tij në Shqipëri për trafikim të substancave narkotike.

Kështu ka bërë të ditur Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen”- ka shkruar ai.

Sot, Policia e Shqipërisë njoftoi se gjatë një operacioni policor të koduar “Punisher 2”, janë arrestuar dy shtetas nga Kosova dhe tre nga Shqipëria nën dyshimin se të njëjtit trafikonin substanca narkotike.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Besnik Mujeci, asamblist i LVV-së në Prishtinë. Sipas Policisë, të arrestuarit e tjerë janë Mithat Ramadani 30 vjeç, Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Të arrestuarin tashmë, LVV-ja e kishte vendosur si aksionar në ndërmarrjen lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë në qershor të këtij viti.

 

Konfirmohet arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, dyshohet për trafikim të narkotikëve