Zëdhënësi i LVV-së Manxhuka dhe asamblisti Azemi ftohen për intervistim nga Prokuroria Speciale
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arlind Manxhuka dhe asamblisti kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi janë ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Si Manxhuka ashtu edhe Azemi kanë thënë se ftesa lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e serbit Dejan Pantiq.
Sipas Manxhukës, prokuroria i ka targetuar anëtarët e partisë në pushtet, dhe nuk është marrë me mbi 250 denoncime që i kanë bërë.
“Prokuroria Speciale nuk është se ishte pasive, përkundrazi ajo është më aktive se kurrë në përndjekje të qytetarëve me prefixin VV. Pra, ky është keywordi që i bën përshtypje kësaj Prokurorie. Në këtë linjë, për nesër jam ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, në lidhje me reagimin tim në rastin e lirimit të Dejan Pantiq. Detajet besoj do t’mi jep nesër prokurorja”- ka shkruar ai në facebook.
Sipas tij, me veprime të tilla prokuroria nuk mund t`i frikësoj aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
“Unë i plotësoj të gjitha kushtet për të marrë ftesë nga prokuroria si për nga prefixi ashtu edhe nga keywordi, por kjo përpjekje e nomenklaturës së moçme si në politikë ashtu edhe në Prokurori për të frikësuar qytetarin e Kosovës, aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, është dëshmuar të jetë e kotë”- ka shkruar ai.
E asamblisti Egzon Azemi ka thënë se kjo ftesë me reagimin e tij për rastin Pantiq ai nuk ka kërcënuar asnjë prokuror e as gjyqtar.
“Unë nuk kërcënoj. As nuk nxis. Unë vetëm kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj drejtësi. Të plotë. Jo selektive. Dhe njësoj do vazhdoj. Kjo Prokurori që është e kapur thuajse fund e krye, saherë shkruaj diçka rreth tyre e gjejnë një vegzë e ngrisin një rast”- ka shkruar ai.
Tutje Azemi ka thënë se ‘nesër do të shkoj veç të ju them që ne as nuk kërcënojmë e as nuk frikësohemi’.
Dejan Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ në Mitrovicë.
Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.
Ndaj tij me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.
Mirëpo në dhjetor i është ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.