Asamblistit në paraburgim për drogë i ecën rroga nga Komuna e Prishtinës

Asamblisti Besnik Mujeci për dy muaj u pagua nga Komuna e Prishtinës 1 mijjë e 260 euro edhe pse i njëjti nuk mori pjesë në dy mbledhje meqenëse vazhdon të jetë në masën e paraburgimit nën dyshimin se kreu veprimtari kriminale, konkretisht trafikim me narkotik atë të mbi 11 mijë tabletave ekstazi nga Kosova në Shqipëri.

Më 15 gusht, Policia e Shtetit kishte arrestuar disa persona mes tyre edhe anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje i cili më pas u përjashtua nga kjo parti. Ai vazhdon të jetë asamblist ndërsa deri më tani nuk ka informacione nëse i njëjti ka parashtruar ndonjë dorëheqje nga ky pozicion.

Asamblistët në Prishtinë aktualisht kanë paga fikse dhe këto paga ekzekutohen deri në momentin kur ka një njoftim zyrtar për largimin e tyre nga ndonjë pozitë.

Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 është 105 euro. Asamblistët në kryeqytet për dallim nga qytetet e tjera pagën do të merrnin më shumë duke u bazuar në koeficientin e tyre.

Në bazë të pagave dhe koeficientit, asamblistët në kryeqytet e kanë 6, rrjedhimisht paga e tyre për muaj do të jetë 630 euro.

Mujeci në dy muajt e fundit u pagua 1 mijë e 260 euro pa qenë fare në komunë apo në kuvend komunal.

Në deklarimin e pasurisë së Mujecit në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2022, i njëjti figuron se përveç asamblistit është edhe operator i futjes së të dhënave.

Në vitin 2022 ai kishte deklaruar dy paga një që rrjedh nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që ishte 300 euro e tjetra nga Komuna e Prishtinës me vlerë 218 euro.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Prishtinës ka thënë se ekziston një rregullore që merret me këtë çështje.

Rregullorja thotë se nëse asamblisti mungon 3 muaj, pra konkretisht në 3 mbledhje të kuvendit atëherë kryesuesi ka të drejtë të inicioj kërkesën për zëvendësim.

E për këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci.

Ai tha se nuk ka ndonjë vendim të prerë në lidhje me Mujecin por që shtoi se vazhdimi i këtij rasti do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës e cila do të mbahet më 2 nëntor.

“Besniku është arrestu nën dyshim për trafikim dhe realisht ai është ende nën hetim, deri sa gjyqësori të vendos të kundërtën ai është nën hetim. Nuk ka prezencë në mbledhjet e kuvendit komunal edhe rregullorja jonë thotë se në mungesë të tri mbledhjeve atëherë merren masa. Në këtë rast ai ka munguar në dy mbledhje të rregullta, ta shohim se çka po ndodhë në mbledhjen e radhës dhe më pas do të vendosim”- tha Bajqinovci për KALLXO.com.

Në lidhje me pagën ai tha se me ndryshimin e rregullores për pagesat fikse ndaj asamblistëve pagat ekzekutohen njëjtë dhe nuk lidhet më me prezencën apo mos prezencën e tyre në seanca.

“Rregullorja është e qartë, nëse nuk paraqitet në seancën e tretë atëherë do të ndërmerren masa”- shtoi ai.

Se a duhet apo jo të paguhen asamblistët nëse kanë raste të ngjashme, Kryesuesi Komunal tha se duhet të sqarohet.

“Nuk e kemi verdiktin final dhe këtu ka paqartësi ligjore. Besoj se kjo çështje duhet të sqarohet në takimin e radhës ndoshta kërkohen edhe informata shtesë nga autoritetet ku është ai tani”- shtoi Bajqinovci.

Më 15 gusht të këtij viti, Besnik Mujeci ishte arrestuar gjatë një operacioni policor ku u sekuestruan 11 mijë e 300 tableta ekstazi MDMA, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Mujeci, së bashku me katër persona të tjerë, Mithat Ramadani po ashtu banues në Prishtinë dhe Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdija, të tre banues në Tiranë, dyshohet se kanë kaluar drogën nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.

Policia e Shtetit kishte thënë në një njoftim zyrtar se pasi droga arrinte në Tiranë, ajo transportohej me vetura të marra me qira.

Transportimi bëhej në kryeqytet e edhe në qytete të tjera, kryesisht vende bregdetare.

Nga veprimet policore që u ndërmorën në rastin ku i përfshirë dyshohet se ishte edhe Mujeci, policia ka thënë se është dëshmuar se vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.

Pasi u bë edhe publike se njëri nga të arrestuarit në këtë aksion policor ishte edhe Besnik Mujeci nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, këta të fundit morën vendim që ta përjashtonin të njëjtin nga partia.

Aktualisht Muejci vazhdon të jetë asamblist në Prishtinë por jo nga radhët e LVV-së.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci tha se kërkesën nga partia për të cilën garoi Mujeci e kanë marrë pas arrestimit ndërsa, i pandehuri vazhdon të jetë asamblist për shkak se mori votat e qytetarëve.

I arrestuar për drogë, asamblisti i Prishtinës, Besnik Mujeci, nuk do të ekstradohet në Kosovë