LVV kërkon anulimin e votave të diasporës, Cakolli thotë se ky hap mund të sjell pasoja të mëdha

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar anulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi.

Kështu ka bërë të ditur, njohësi i proceseve zgjedhore nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, i cili tha se ndonëse dyshimet mbi manipulimet e mundshme të votave duhen trajtuar e hetuar kujdesshëm, anulimi i plotë i votës së diasporës do të kishte pasoja të mëdha.

“Një vendim i tillë jo vetëm që do të shkaktonte vonesa në certifikimin e rezultateve, por mbi të gjitha do të ndëshkonte edhe ata qytetarë që kanë votuar në mënyrë të rregullt”- tha Cakolli.

Cakolli nga KDI theksoi se në vend të një qasjeje sipas tij “all-in”që rrezikon të cenojë besimin në procesin zgjedhor, një hetim i detajuar do të ishte zgjidhja.

“Një hetim i thelluar dhe i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte një zgjidhje më e drejtë dhe më e qëndrueshme”- përfundoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje më 03.03.2025 ka njoftuar se ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar pavlefshmërinë e qindra fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Kështu kishte bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i LVV-së, Alim Rama, i cili këtë e ka quajtur një përpjekje të qëllimshme për të deformuar vullnetin e votuesve të diasporës.

“Me qindra fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga numëruesit e QNR-së për një arsye absurde, sepse qytetarët nuk i kanë shtypur siç duhet. Por në të gjitha këto fletëvotime, qëllimi i votuesit është i qartë dhe i pakontestueshëm” – ka shkruar Rama në Facebook.

Ai ka cituar Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së, duke theksuar se një votë është e vlefshme kur votohet vetëm një subjekt politik dhe kuptohet qartë qëllimi i votuesit.

Sipas tij, fletëvotimet e kontestuara përmbajnë vetëm një subjekt politik dhe nuk ka asnjë arsye për t’i shpallur të pavlefshme.

Rama kishte akuzuar shumicën e anëtarëve të KQZ-së për vendime të motivuara politikisht, duke thënë se këto veprime përbëjnë “një cenim të thellë të demokracisë”.

Ai njoftoi se për shkak të refuzimit të KQZ-së për të korrigjuar këtë situatë, LVV ka dorëzuar ankesë në PZAP.

“Çdo përpjekje për të manipuluar vullnetin qytetar është cenim i thellë i vetë demokracisë!”- ka thënë ai.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 05.03.2025, ka marrë Vendim që të pranojë Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për parregullsi gjatë numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas Vendimit, PZAP kishte udhëruar Komisonin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që 21 fletëvotime të vlerësohen si të vlefshme dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar.

Lëvizja Vetëvendosje, më 03.03.2025, kishte njoftuar se kishte ka dorëzuar Ankesë në PZAP duke kundërshtuar pavlefshmërinë e qindra fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Në Ankesën e LVV-së pretendohet se me 3 mars 2025, komisionerë dhe vëzhgues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë identifikuar se gjatë procesit të numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prishtinë fletëvotimet janë shpallur të pavlefshme për shkak të një gabimi teknik në shtypjet/printimet e fletëvotimeve përkatëse.

“Sipas parashtruesit të Ankesës theksohet se konkretisht bazuar në Dispozitat ligjore në fuqi, votuesi duhet vetë ta shtypë/printojë fletëvotimin nga faqja zyrtare e KQZ-së. Në fletëvotimet përkatëse, gjatë këtij procesi të printimit vërehet se fletëvotimet nuk janë printuar si të plota, ndonëse vërehet qartë qëllimi i votuesit. Por, meqë ky nuk është rasti dhe votuesi ka printuar fillimisht fletëvotimin në kushte shtëpie, e diktuar ndonjëherë nga formati i dërguar e specifikat krejt teknike e teknologjike, duhet të kihet parasysh edhe qëllimi i votuesit, ashtu siç e përcakton edhe Ligji.” – thuhej në njoftimin e PZAP-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi kishte njoftuar se më 04.03.2025 gjatë ditës KQZ ka pranuar një Vendim nga PZAP për të llogaritur si të vlefshme disa fletëvotime, të cilat gjatë procesit të numërimit në QNR ishin konsideruar si të pavlefshme.

“Meqenëse, në këtë Vendim të PZAP-së ka këshillë juridike – sipas së cilës palët mund të parashtrojnë Ankesë në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve – ne si KQZ do të presim që të kalojë ky afat dhe pastaj do të vendosim për zbatimin e Vendimit të PZAP-së, nëse nuk ka Ankesë në Gjykatën Supreme.” – tha Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte njoftuar se është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës, më 04.03.2025.

Deri në orën 16:00, siç njoftonte KQZ, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 187 kutitë e votimit në të cilat ishin të ndara fletëvotimet nga komuna të ndryshme të cilat i takojnë votuesve të regjistruar për votim nga jashtë vendit.

Sipas rezultateve të publikuara në platformën https://rezultatet2025.net/ nga votat e dërguara me postë nga jashtë Kosovës më së shumti vota ka fituar Lëvizja Vetëvendosje – 51.57% ose 31,963 vota, e ndjekur nga LDK – 30.55% ose 18,933 vota, PDK- 9.48% ose 5,878 vota, koalicioni AAK-NIsma – 3.23 % ose 2,000 vota.

Votimi nga mërgimtarët u realizua në dy forma: përmes postës dhe votimit fizik nëpër ambasada dhe konsullata.Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës 84,600 ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.

Zgjedhjet e 09.02.2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.