LVV i përgjigjet deklaratave të Arben Gashit për ndërprerjen e furnizimit me armë nga ShBA

Mbrëmë, në emisionin Kallxo Përnime, ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK dhe anëtari i kësaj partie, Arben Gashi, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërprë furnizimin me armë për Kosovën në kohën e Qeverisë Kurti.

Sipas tij, rrëzimi i ekzekutivit kosovar lidhej edhe me këtë çështje.

“Në ditët pasuese, prej skandalit të Xhamajkës, Kosovës i janë blloku fondet e mileniumit, 200 milionë dollarë. Pas kësaj, Kosovës i janë bllokuar fondet dhe e drejta për të blerë armatim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditën tjetër, Ushtrisë së Kosovës i janë bllokuar të gjitha trajnimet në institucionet e NATO-së dhe Ushtrisë amerikane”, deklaroi Arben Gashi.

Por, me këto konstatime nuk janë pajtuar në partinë e Albin Kurtit. Sipas Përparim Kryeziut, zëdhënës në Vetëvendosje, rrëzimi i qeverisë Kurti kishte shumë të pavërteta.

“Është tejet e vështirë të arsyetohet veprimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partnerëve të saj, që ishte i pashoq në botë, për rrëzimin e Qeverisë në pikën më kritike të përballjes me pandeminë me plotë të panjohura në atë kohë. Ai veprim është i pafalshëm për qytetarët. Ç’është e vërteta nuk ka asnjë shpjegim racional që e arsyeton atë veprim”, ka thënë Kryeziu.

“Çdo përpjekje është dëshpëruese. Por më së shumti ky tregimi tashmë i demaskuar duke qenë me plot të pavërteta në lidhje me Qeverinë Kurti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes këtij tregimi provonin që të nxisnin frikë te qytetarët, ashtu që të mbuloheshin për veprimet e tyre të papranueshme e që në fakt nxiteshin nga interesat e tyre të ngushta politike. Koha dhe ngjarjet që kanë pasuar që atëherë ia kanë dëshmuar qytetarëve se kush kishte të drejtë. Prandaj që atëherë mbështetja qytetare për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe z. Kurti është më shumë se dyfishuar”, ka deklaruar ai për KALLXO.com.

 

Arben Gashi: Në kohën e Albin Kurtit, ShBA nërpreu furnizimin me armatime për Kosovën

www.kallxo.com