Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV dhe PDK premtojnë më shumë parkingje në Shtime

Kandidatët për kryetar të Shtimes nga PDK dhe LVV, Qemajl Aliu dhe Naim Ismajli, të ftuar në Debat Pernime, kanë premtuar më shumë parkingje në këtë qytet.

Qemajl Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kjo parti e ka një projekt ambicioz për të rregulluar kaosin urbanistik për qytetin e Shtimes.

Sipas Aliut, LVV synon që të ketë parkingje mbitokësore e nëntokësore.

“Unë kam një projekt ambicioz për Shtimen. Ne do ta bëjmë sheshin nga rruga 14 dhjetori deri te sheshi Adem Jashari. Do ta bëjmë unazën e madhe e të vogël të qytetit. Do t’i japim karakter urban Shtimes. Do të bëjmë parkingje në afërsi të Xhamisë dhe shkollës profesionale. Do të bëjmë edhe parkingje nëntokësore”, është zotuar Aliu.

Naim Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se tashmë është duke përfunduar sheshi i qytetit.

Sipas tij, qyteti i Shtimes nuk do të ketë një shesh të mbyllur.

“Parkingjet do t’i zgjerojmë sidomos në hyrje të Shtimes. Për pak muaj do të përfundojë sheshi nga rruga “14 Dhjetori” deri te sheshi Adem Jashari. Shesh të mbyllur nuk do të ketë për qytetarët e Shtimes. Ky shesh do të ketë trotuar të bukur sepse ekonomia e Shtimes nuk do të paralizohet”, ka thënë Ismajli.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Shtimes diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Shtimes: Bedri Zeqiri nga LDK -; Naim Ismajli nga PDK dhe Qemajl Aliu nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Shtimes: Adelina Beqa-Limani nga PDK; Albana Fazliu dhe Vahide Rexhaj nga LDK; Shqipe Miftari nga LVV; Zejnie Veliu nga Lista Guxo.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.