LVV dhe LDK tregojnë datën kur do ta finalizojnë marrëveshjen

Pas takimit që u mbajt në Kuvendin e Kosovës në mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa është njoftuar që të hënën do të përmbyllet përfundimisht marrëveshja për koalicion.

“Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura”, thuhet në njoftimin e lëshuar pas takimit.

Më tej thuhet se nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për versionin e parë.

Në vijim do të përzgjidhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat.

Pas këtij takimi, as Mustafa e as Kurti nuk u deklaruan për media.

Të premten, këto dy parti kishin bërë të ditur se kanë arritur pajtim të plotë për harmonizimin e programeve qeverisëse ndërsa është bërë e ditur se marrëveshja mund të arrihet në fillim të javës së ardhshme.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, partia fituese doli Lëvizja Vetëvendosje që fitoi 29 ulëse në Kuvend ndërsa u përcoll nga Lidhja Demokratike me 28 ulëse.