Vazhdojnë takimet e fshehta të Albin Kurtit me Isa Mustafën

Kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë takuar përsëri sot në mënyrë të fshehtë, pa asnjë paralajmërim në njëri nga hotelet e Prishtinës.

KALLXO.com ka provuar t’i konfirmojë detajet e takimet me zyrtarë të të dy partive, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.

As Kurti e as Mustafa nuk kanë njoftuar paraprakisht për takimin dhe as nuk kanë folur pas takimit, ndonëse një numër i madh i gazetarëve ka qenë duke pritur përfundimin e takimit.

LDK dhe VV kanë diskutuar tash e një kohë për arritjen e një marrëveshje politike për një koalicion parazgjedhor, mirëpo nuk janë dakorduar për pozitën e kandidatit për kryeministër. LDK e ka nominuar zyrtarisht Vjosa Osmanin si kandidate, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje pritet që ta nominojë Albin Kurtin.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve për koalicione parazgjedhore është të premtën, më 30 shtator ora 00:00.

Deri më tani janë arritur dy koalicione parazgjedhore. AAK dhe PSD do të hyjnë në një listë të përbashkët, si dhe NISMA e AKR në një listë tjetër të përbashkët.