Deputeti i LDK-së i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të reja

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli i ka hedhur poshtë deklarimet se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje në rast se subjekti i tij dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e përfshijnë Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën Kosova e Re në qeverinë e ardhshme.

Avdyli përmes një publikimi në Facebook, ka bërë përllogaritjet e numrave të koalicionin të kaluar PAN, me gjendjen e tanishme pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Zgjedhje afër s’ka sigurtë. Nëse PANI me 39 deputetë, arriti ti bënte 61 (minus 22) , Koalicioni i ndryshimit 57 deputetë (me vetëm minus 4) të shkon në zgjedhje s’ka me ndodhë assesi. Mjaftojnë edhe 4 nga 10 deputetë të pakicave joserbe, por munden edhe deputetët serbë, e ndoshta edhe deputetë të veçantë të opozitës të votojnë, prandaj problemi i numrave nuk ekziston”, ka shkruar ish-deputeti.

Sipas tij në zgjedhjet shkohet vetëm nëse LDK dhe LVV pajtohen për një gjë të tillë, apo nëse partia që ka drejtën e mandatimit të kryeministrit, VV-ja nuk don të mandatojë kandidatin e saj dhe t;i sigurojë edhe ata 4 deputetë të pakicave që me kushtetutë është i obliguar t’i ketë në qeveri.

“Këto pakica kanë jo 4 por 20 deputetë, që dmth qeveria e re do i ketë gjithsej 78 deputetë (jo 61 si ajo e kaluara) të cilët do duhej ta votonin Qeverinë e re. Kjo s’ka të bëjë fare me Nisman a hyn apo jo në parlament, por me ne. Prandaj zgjedhje do ketë, por tek në vitin 2023”, është shprehur Avdyli.

Nga zgjedhjet e 6 tetorit, fituese ka dalë VV-ja, pasuar me LDK-në.

Ndonëse ka kaluar më shumë 1 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, certifikimi i rezultatit të tyre nuk ka ndodhur ende.

Kjo pasi që KQZ-ja është përfshirë në disa procese të rinumërimit të votave, për shkak të ankesave të partive politike.

Në anën tjetër,Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë përfunduar bisedimet në nivel të grupeve punuese, por takimi final për çështjen e koalicionit, pritet të marrë kohë së paku deri në certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Zyrtarë të dy subjekteve politike kanë thënë se takimi në nivel kryetarësh do të përcaktojë edhe ndarjen definitive të përgjegjësive dhe posteve ministrore, përderisa kanë treguar se kanë harmonizuar 80 për qind të programeve të tyre.