(VIDEO) Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së miraton unanimisht marrëveshjen e koalicionit

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se marrëveshja për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, është votuar me vota unanime nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Mustafa ka shtuar se ndaj kësaj marrëveshje për bashkëqeverisje nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

“Sot në 13 është mbledhur Këshilli i Përgjithshëm, në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, ka miratuar marrëveshjen në mes LDK-së dhe LVV-së për bashkëqeverisje”, ka deklaruar Mustafa para selisë së LDK-së.

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, gati 4 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019.

Sipas marrëveshjes së arritur, Qeveria e re do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Glauk Konjufca, i cili është zgjedhur më 26 dhjetor kryetar i Kuvendit, do të largohet nga kjo pozitë për të kaluar në ekzekutiv, kurse ulësja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do t’i kalojë LDK-së.

Po ashtu, çështja e presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, por për këtë do të merren vesh Mustafa e Kurti kur të vijë koha dhe t’i përfundojë mandati presidentit aktual.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

Publiée par Kallxo.com sur Dimanche 2 février 2020