Deputetët e Levizjes Vetëvendosje. Foto: KALLXO.com

LVV bën rrokadë me deputetët e saj në komisionet parlamentare

Grupi parlamentar i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka zëvendësuar disa deputetë nëpër komisionet parlamentare.

Deputeti Fatmir Humolli i cili se fundmi është larguar nga Grupi Parlamentar i LVV-së, është zëvendësuar nga deputeti Dimal Basha në Komisionin për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ndërsa në vend të Dimal Bashës në Komisionin për mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, LVV ka propozuar deputetin Arber Rexhaj.

Zëvendësimi i anëtarëve është propozuar edhe në Komisionin për Legjislacion ku në vend të Saranda Bogujevci tash e tutje Lëvizja Vetëvendosje do të ketë anëtare deputeten Arjeta Rexhepi.

Kurse në vendin e deputetes Tinka Kurti në Komisionin për të drejta të njeriut është propozuar deputetja Fatmire Kollçaku.

Po ashtu, Grupi Parlamentar i LVV – së ka propozuar që në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave deputeti Eman Rrahmani të zëvendësohet me deputetin Visar Korenica.

Me këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e për ditën e sotme.

Disa pika të rendit të ditës, përfshirë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Prokurorin e Shtetit janë bartur për një seancë tjetër në mungesë të kuorumit për t’u votuar.