Lutfi Haziri: I dhimbshëm largimi i Vjosa Osmanit nga LDK

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka quajtur “të dhimbshëm” largimin e kryeparlamentares, Vjosa Osmani, nga LDK.

Haziri në Kanal 10 ka thënë se duhet të bëhet edhe një përpjekje për diskutimin e dallimeve brenda LDK.

“Nuk jam kah e shoh politikisht jashtë LDK-së edhe pse duhet me qenë me realitetin se është deklaru në këtë emision se po e mendon daljen dhe ndërtimin e një iniciative. Për mua është e dhimbshme politikisht, e gjithë kjo  ka të bëjë me zhvillimet e fundit politike ne LDK. E shoh si një përpjekje  edhe tonën që duhet  me ndodh, me gjetë një rrugë që t’i diskutojmë dallimet e vogla sepse dallimet e mëdha nuk mundet me pasë në një familje”, ka thënë ai.

I pyetur se a do t’i bashkohet në rast të krijimit të një partie apo iniciative nga Osmani, kryetari i Gjilanit ka thënë se nuk e sheh veten jashtë subjektit ku ai gjendet.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet me më pa askush jashtë LDK as unë veten nuk mund ta shoh jashtë saj. As Vjosa nuk mund të veshet me petkun e LVV, unë e di që ajo nuk do të ndryshojë ideologjikisht, asnjëherë por vetëm do të gjejë një formë tjetër të realizimit të qëllimit të saj”, ka theksuar ai.

Më 20 qershor të këtij viti, Vjosa Osmani përmes një votimi online ishte shkarkuar nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo kishte ardhur si pasojë e përplasjes së vazhdueshme në mes Osmanit dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Osmani kishte votuar kundër mocionit të mosbesimit të Qeverisë Kurti, pjesë e së cilës ishte edhe LDK.