Lumir Abdixhiku komenton rezultatin e zgjedhjeve: Ishte më i rëndi në historinë e LDK-së

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Lumir Abdixhiku rezultatet e zgjedhjeve të fundit i ka cilësuar si më të rëndat në historinë e LDK-së.

“Por kjo ka pak rëndësi. Fare madje. Rezultati për ekip, për LDK-në, pa befasi ishte i rëndë – më i rëndi në histori. Mesazhi ishte i qartë e i zëshëm, ai thërret për reflektim. Kush s’e dëgjon harrohet; dhe këtë s’mund ta kemi më alternativë” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku ka uruar për Pavarësinë e Kosovës dhe ka falënderuar votuesit  e tij duke iu thënë se LDK-ja do ta gjejë përsëri rrugën e  saj.

“Rruga përpara s’është e lehtë, por këtë rrugë LDK ka për ta gjetë. Ajo do të jetë rrugë e drejtë, siç na takon për atë që përfaqësojmë. Pa improvizime më; me plot konsistencë. Ndryshimi pas përgjegjësisë ka nisur dhe s’ka gjë që e ndalë atë tashmë” ka shkruar ai.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para sipas rezultateve nga votat e numëruara deri më tani, pa përfshirë votat e diasporës dhe ato me kusht.