Lufta në Ukrainë: Dita e 17

Forcat ruse e kanë zgjeruar ofenzivën e tyre në perëndim të Ukrainës për herë të parë të premten..

Ka prova në rritje se qyteti i Volnovakha në Ukrainën lindore ka rënë në duart e forcave ruse dhe aleatëve të tyre në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut. Qyteti i Khersonit duket se është pushtuar sipas inteligjencës së mbrojtjes amerikane.

Qytetet Kiev, Kharkhiv, Mariupol, Mykolaiv dhe Sumy vazhdojnë të përjetojnë sulmin rus dhe janë nën presion.

Aty ku kanë ndodhur sulmet e fundit, sipas autoriteteve ukrainase: qytetet e mëdha – përfshirë Dnipro dhe Lutsk – u goditën të premten, thanë zyrtarët ukrainas, me viktima të raportuara.

Pati dëme të konsiderueshme në aeroportin në Lutsk në Ukrainën veriperëndimore, i cili është vetëm rreth 70 milje (rreth 112 kilometra) nga kufiri polak.

Guvernatori i rajonit të Volyn tha se katër raketa ishin lëshuar nga një bombardues rus dhe dy persona u vranë.

Fusha ajrore ushtarake në Ivano-Frankivsk në Ukrainën perëndimore u godit nga raketa.

Një sulm me raketa në periferi të Dnipro vrau një civil dhe dëmtoi një ndërtesë të shkollës fillore, ndërtesa banimi dhe një fabrikë këpucësh.

Pati gjithashtu sulme ajrore gjatë natës në distriktin Brovary në lindje të Kievit dhe një sulm me raketa në qytetin Baryshivka, rreth 45 milje (rreth 72 kilometra) në lindje të kryeqytetit.

Një stadium futbolli dhe një bibliotekë në Chernihiv, një qytet në Ukrainën veriore, janë dëmtuar rëndë nga një sulm ajror.

Sipas pamjeve satelitore, kolona që ishte pozicionuar për gati dy javë jashtë Kievit tani është shpërndarë kryesisht. 

Forcat duket se po rigrupohen.

Presidenti i ShBA Joe Biden njoftoi se ShBA, së bashku me G7 dhe BE, do të bëjnë thirrje për revokimin e statusit të “kombit më të favorizuar” për Rusinë, të referuara si marrëdhënie të përhershme normale tregtare në SHBA. Përveç kësaj, ai tha se importet ruse të ushqimeve të detit, vodkës dhe diamanteve do të ndalohen. 

Ndërkohë, G7 po shton gjithashtu sanksione ndaj më shumë oligarkëve rusë dhe familjeve të tyre ndërsa pushtimi i Ukrainës vazhdon.

Kremlini ka thënë se vullnetarë nga “Lindja e Mesme dhe Siria” mund të dërgohen për të luftuar për Rusinë në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, duke pretenduar se mbi 16,000 aplikime janë marrë nga jashtë. 

ShBA nuk e ka parë “ardhjen aktuale” të luftëtarëve të huaj nga Lindja e Mesme për të luftuar përkrah forcave ruse në Ukrainë, por beson se Rusia po lëviz në drejtim të rekrutimit dhe përdorimit të luftëtarëve të huaj.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi tha të premten se numri i njerëzve që kanë ikur nga Ukraina tani ka arritur në 2.5 milionë./CNN