Lufta në Ukrainë - Dita 20

Sot është dita e 20-të e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës duke e dënuar sulmin dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.

Luftimet intensive si dhe bombardimet e qyteteve dhe fshatrave ukrainase nga ana e ushtrisë ruse kanë vazhduar edhe gjatë natës së ditës së 20-të të kësaj lufte. Kryesisht, gjatë ditës së djeshme pati shpërthime të forta në Kiev dhe një bllok apartamentesh në një nga periferi të qytetit u godit nga një goditje vdekjeprurëse. Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, më shumë se 2,500 civilë kanë vdekur, vlerësojnë zyrtarët ukrainas, dhe ata që kanë mbetur janë pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje.

Të paktën tri shpërthime të fuqishme u dëgjuan para agimit në Kiev. Është bërë një taktikë e rregullt e forcave ruse për t’i nisur sulmet brenda natës në kryeqytetin ukrainas.

Presidenti Zelenskyy ka përdorur një video-mesazh të ri për t’i kërkuar trupave ruse të dorëzohen, duke u thënë atyre se “kanë një mundësi të jetojnë” nëse ndalojnë së luftuari.

Negociatorët ukrainas dhe rusë do të takohen sërish të martën përmes videokonferencës për t’i vazhduar bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit. Bisedimet e së hënës përfunduan pa një marrëveshje, me negociatorët që thanë se po merrnin një “pauzë teknike” dhe planifikonin t’i rifillonin bisedimet sot.

Sipas një konference të re të Pentagonit, pothuajse të gjitha ofensivat ushtarake të Rusisë mbeten të bllokuara dhe kanë bërë pak përparim gjatë fundjavës. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se trupat ruse ishin ende rreth 15 kilometra larg nga qendra e Kievit.

SHBA ka informacione që sugjerojnë se Kina është shprehur e hapur për t’i ofruar Rusisë ndihmën e kërkuar ushtarake dhe financiare, tha një zyrtar perëndimor dhe një diplomat amerikan për CNN. Por nuk është ende e qartë nëse Kina synon t’i japë Rusisë ndihmë. Kryediplomati i Kinës, Yang Jiechi, u tha zyrtarëve amerikanë se Pekini shpreh keqardhjen për luftën në Ukrainë, por nuk do ta pranojë asnjë përpjekje për ta “njollosur” Kinën mbi pozicionin e saj. SHBA i ka përcjellë drejtpërdrejt Kinës rezultatet e mundshme negative të ndihmës së Rusisë në luftën e saj me Ukrainën. Ndër ndihmat që kërkoi Rusia ishin komplete ushqimore ushtarake të paketuara paraprakisht, që nuk prishen, të njohura në SHBA si “vakt, gati për t’u ngrënë” ose MRE, sipas dy burimeve të njohura me këtë çështje.

Korrespondenti i Fox News, Benjamin Hall, i cili ishte vendosur javët e fundit për ta mbuluar luftën në Ukrainë, është hospitalizuar pasi u plagos ndërkohë që raportonte pranë Kievit, tha rrjeti televiziv Fox News të hënën. Plagosja e Hall vjen një ditë pasi Brent Renaud, një gazetar amerikan i vlerësuar me çmime gazetarie, u vra në qytetin ukrainas të Irpin.

Liderët e NATO-s mund të takohen personalisht në Bruksel javën e ardhshme për atë që do të ishte një takim i jashtëzakonshëm, sipas një burimi diplomatik. Ndaras kësaj, takimi i kësaj jave i ministrave të mbrojtjes të NATO-s pritet të fokusohet në hapat e ardhshëm të aleancës për ta forcuar praninë e saj mbrojtëse në Evropën Lindore në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

Një sulm rus në një objekt stërvitor ushtarak ukrainas pranë Lviv të dielën është sulmi i tretë ajror në Ukrainën perëndimore, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Me sulmin e fundit, “me siguri duket sikur rusët po e zgjerojnë objektivin e tyre”, shtoi Kirby. Pentagoni nuk beson se sulmi ishte një shenjë se Rusia po synonte dërgimin e ndihmës së huaj të sigurisë në Ukrainë.

Maria Ovsyannikova, një punonjëse e Channel One të Rusisë, mbajti një pankartë kundër luftës për ta ndërprerë një nga programet kryesore të televizionit shtetëror rus që transmetonte lajme në kohën kryesore të hënënme me nbishkrimin “JO LUFTE. Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës që ju thonë gënjeshtra këtu”, shkruhej në tabelë. Avokati i Ovsyannikova më vonë tha se ai nuk ishte në gjendje ta gjente klienten e tij, pavarësisht raporteve se ajo ishte në një stacion policie në Moskë.

Një person vdiq dhe gjashtë të tjerë u plagosën kur një ndërtesë apartamentesh në lagjen Obolon të Kievit u godit të hënën. Pamjet e reja satelitore tregojnë se pothuajse çdo shtëpi e vetme në anën veriperëndimore të fshatit Moschun, afër Kievit, ka pësuar dëme të konsiderueshme. Dhe pamjet tregojnë më shumë shkatërrim në Mariupol, duke përfshirë dëmtimin e Spitalit Rajonal të Kujdesit Intensiv./CNN, Euronews