Albin Kurti, foto: Facebook

Lojërat Mesdhetare, Kurti jep lajmin për ndërtimin e stadiumit nacional

Për herë të parë, vendi ynë do të jetë organizator i një ngjarje të madhe sportive. Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku pritet të marrin pjesë 25 shtete me mbi 5 mijë sportistë.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka shpalosur detajet pas pranimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Ai dha lajmin edhe për ndërtimin e pesë objekteve të reja shpotive, duke përfshirë stadiumin nacional.

Kurti tha se një pjesë e garave sportive do të zhvillohen në bregdetin shqiptar, në Durrës.

“Të premten e kaluar në Greqi, Kosova zyrtarisht u shpall nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Me mobilizimin e kabinetit qeveritar dhe në bashkëpunim të Komitetit Olimpik të Kosovës i kemi sjellë Kosovës mundësinë për organizimin e kësaj ngjarjeje ndërkombëtare” – deklaroi Kurti gjatë fjalës së tij para kabinetit qeveritar.

Tutje, ai tregoi edhe për numrin e shteteve nga cilat kontinente do të vijnë.

“Në partneritet me Shqipërinë po shënojmë që kjo të zhvillohet në një vend pa det, në marrëveshje me Shqipërinë do shfrytëzojmë bregdetin e Durrësit për sportin e lundrimit i cili kërkon qasje në det. Do të mirëpresim mbi 5 mijë sportist nga 25 shtetet e anëtare të Komitetit Ndërkombëtarë të Lojërave Mesdhetare duke përfshirë 18 shtete nga Europa, 2 nga Azia dhe 5 nga Afrika” tha Kurti.

Garat sportive për lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të zhvillohen në dy shtete dhe në 11 komuna, si Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Ferizaj, Peja, Drenasi, Skenderaj, Podujeva dhe Durrësi. Në këto qytete do të zhvillohen 23 sportet e parapara në programin sportiv të lojërave mesdhetare.

Shefi i ekzekutivit kosovar foli edhe për investimet në infrastrukturë. Ai paralajmëroi ndërtimin e disa objekteve por edhe renovimin e disa të tjerave.

“Numri total i objekteve sportive të cilat përfshihen në konceptin fillestar të këtij projekti është 24, qasje që është ndjekur sa i përket infrastrukturës fizike reflekton nevojat dhe kapacitetet e vendit tonë. 10 objekte sportive do të rinovohen duke përfshirë edhe Pallatin e Rinisë. 4 ndërtime të reja, që përfshijnë stadiumin nacional, kompleksin e pishinave olimpike, kompleksin e tenisit dhe poligonin e shenjtërisë” – ka deklaruar Albin Kurti të mërkurën.

“5 investime infrastrukturore të përkohshme dhe 5 projekte që janë në ndërtim apo në përfundim e sipër, edhe stadiumi “Adem Jashari” dhe stadiumi i qytetit të Gjilanit” – tha ai.