Logo e Kosovës në peticionin për largimin e Erden Atiq. Foto: KALLXO.com

Logo e shtetit të Kosovës në peticionet që po nënshkruhen në Mitrovicën Veriore

Në tavolinat e vendosura në krye të sallës sportive në Mitrovicë të Veriut janë vendosur peticionet që po nënshkruhen nga qytetarët e kësaj komune për të shkarkuar kryetarin aktual, Erden Atiq.

Në këto peticione është e vendosur edhe logo e shtetit të Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkarkimin e kryetarit të komunës duhet të mblidhen gjithsej 3 mijë e 640 nënshkrime.

Dhjetëra qytetarë tashmë janë futur brenda objektit të sallës sportive në Mitrovicë të Veriut për të nën shkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës, Erden Atiq.

Qytetarët fillimisht u mblodhën tek stacioni i autobusëve për tu nisur në formë te organizuar drejtë sallës së sportit.

Grumbullit të qytetarëve po iu prin ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovës – Igor Simic dhe ish nënkryetari i komunës, Milan Radojeviq.

Në mesin e grumbullit e qytetarëve u pa edhe ish-kryetari i LS-së, Goran Rakiq e zyrtarë të tjerë të kësaj partie.

Ky peticion është i organizuar nga grupi iniciatorë serb, e kjo ishte konfirmuar për KALLXO.com kryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Nexhat Uglijani.

“Ne përmes emalit i kemi dërgua grupit iniciues dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal pëlqimin për shfrytëzimin e objektit, hapësirën publike e cila gjendet te Salla e Sporteve në Pjesën Veriore. Ata (grupi iniciatorë serb) sot fillojnë prej orës 09:00. Fillon në pjesën Veriore dhe Leposaviq”- ka thënë ai.

Ndryshe, më datë 15 janar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka miratuar kërkesën e grupit iniciatorë serb për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit.

Erden Atiq u zgjodh kryetar i kësaj komune në prill të vitit të kaluar në zgjedhjet që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai pozitën që e fitoi e mori zyrtarisht më 19 maj 2023, pas betimit që ai bëri.

Disa muaj më vonë, më 13 tetor 2023, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ndryshoi qëndrim duke njoftuar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e 23 prillit në të cilat katër komunat – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq – u fituan nga kryetar shqiptarë, u bojkotuan nga Lista Serbe.

 

Lajm në zhvillim – Shkarkimi i kryetarit Atiq – Qytetarëve u prijnë zyrtarë dhe ish zyrtarë të Listës Serbe