Kosova 'përballë drejtësisë’ për deportimin e gjashtë shtetasve turq
Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Truqi në mars të viti 2018 është konsideruar si shkelje e të drejtave të njeriut nga grupi punues i OKB-së për ndalimet arbitrare.
Sipas këtij grupi punues privimi nga liria i gjashtë shtetasve turq ishte arbitrar dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, përkatësisht të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë, të drejtën e gjykimit të drejtë, të drejtën e ankimimit dhe të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes.
Ndonëse janë bërë më shumë se dy vite që nga depërtimi i Kahraman Demirez, Mustafa Erdem, Hasan Hüseyin Günakan, Yusuf Karabina, Osman Karakaya dhe Cihan Özkan, organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se organet e drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet për zbardhjen e këtij rasti.
‘Skepticizmi’ për drejtësinë e munguar
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Behxhet Shala, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se ky raport e ka vërtetuar edhe një herë që Kosova ka shkelur të drejtat e njeriut me rastin e deportimit të ‘gylenistëve’.
“Nuk është fare e diskutueshme nëse janë shkelur të drejtat e njeriut, të gjithë e kanë konstatuar këtë. Ky ka qenë arrestim dhe dëbim i qëllimshëm në koordinim me autoritet turke dhe i kanë kryer shërbim shtetit turk duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës”, ka thënë ai.
Shala tutje ka thënë që në Kosovë nuk ka gatishmëri të zbardhet ky proces pasi që sipas tij ka qenë i qëllimshëm.
“Organet e drejtësisë nuk kanë punuar aspak, është bërë në koordinim mes dy shteteve edhe një pjese të klasës politike kosovare e cila pa dyshim ka pasur kontroll mbi organet e drejtësisë dhe nuk kanë lejuar që të ketë hetime të pavarura dhe të paanshme”, ka theksuar ai.
Edhe drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, ka vlerësuar se një raport i tillë i OKB-së e dëmton Kosovën.
“Ka pasur shkelje flagrante të ligjeve tonë që cilat rregullojnë çështjen e të drejtave të njeriut, mënyra sesi janë trajtuar dhe deportuar ata. Një raport i tillë ndikon negativisht aq më pak kur flasim për një shtet të ri i cili është duke punuar çdo ditë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”, ka thënë ai.
Edhe Demhasaj është shprehur ‘skeptik’ për punën e bërë nga institucionet e drejtësisë për zbardhjen e këtij rasti, duke shtuar se edhe në të ardhmen nuk pret ndonjë veprim konkret.
“Për faktin që në një mënyrë apo tjetër kanë qenë të involvuara edhe vet institucionet e drejtësisë në këtë rast. Pra nuk është veprim i një apo dy individëve, por kanë qenë një sërë strukturash duke mos përjashtuar prokurorinë, policinë AKI-në, institucioni i presidentit, prandaj nuk pres që mund të zbardhet ky rast”, ka theksuar Demhasaj.
KALLXO.com vazhdimisht ka dërguar pyetje në pyetje në Prokurorinë Speciale për të marrë informacione për hetimet në këtë rast, mirëpo nuk kanë dhënë detaje me arsyetimin se rasti është nën hetime.
Historiku i depërtimit të gjashtë shtetasve turq
Në mëngjesin e 29 marsit 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.
Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.
Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u deportua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir.
Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të këtij viti, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.
Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhje e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.
Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova nuk ishte i rastësishëm. Institucionet e Kosovës për ta organizuar këtë plan kanë punuar 17 ditë, thotë eksperti amerikan Tienmu Ma, i cili ishte angazhuar nga komisioni hetimor parlamentar i krijuar mbi këtë çështje.
Për këtë operacioni AKI sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.
Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë(AKI), në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.
Mirëpo, raporti i ekspertit amerikan Tienmu Ma konstaton se gjashtë shtetasit e deportuar në marsin e vitit 2018 nuk paraqisnin rrezik për kryerjen e një sulmi terrorist ose ndonjë akti tjetër të dhunshëm në Kosovë.
Nga pesë shtetasit, tre prej tyre posedonin leje qëndrimi të përhershme (Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Karhaman Demirez), ndërsa dy prej tyre (Hasan Hysein Demir dhe Cihan Ozkan) posedonin lejeqëndrimi të përkohshme.
Shtetasit të gjashtë Osman Karakaya i kishte skaduar lejeqëndrimi i përkohshëm andaj me 27 mars 2018, i njëjti kishte aplikuar për vazhdimin e leje-qëndrimit.
Në mes të një situate të ‘mjegullt’, ku asnjë nga zyrtarët e shtetit nuk mori përgjegjësinë për dhënien e urdhrit për një operacion të tillë, drejtori e AKI-së, ai i Policisë së Kosovës, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj u shkarkuan nga kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj.
Megjithatë, nuk shkoi shumë kohë e duket se të dy drejtorët u ‘shpërblyen’. Driton Gashi u emërua sekretar në Presidencën e Kosovës, ndërsa Shpend Maxhuni u emërua kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, nga i cili dha dorëheqje një vit më vonë.