Takimi Kurti-Vuçiq në qershor 2021, Foto: Twitter

Dialogu Kosovë-Serbi më 2021, konsiderohet vit i humbur

Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovë dhe Serbisë në vitin 2021, po konsiderohet vit i humbur.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe të dialogut kanë përmendur disa nga pikat kryesore që e kanë karakterizuar procesin e negociatave gjatë vitit që po lëmë pas.

Hulumtuesja dhe njohësja e procesit të dialogut, Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për KALLXO.com, se këtë vit nuk pati ndonjë progres në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ky vit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi mund të konsiderohet si vit i humbur për këtë proces. Kjo sepse nuk pati ndonjë progres në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve apo përafrim tek marrëveshje finale”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Edhe analisti politik Arton Demhasaj, ka thënë për KALLXO.com se në tërësi në këtë proces nuk është që ka pasur ndonjë zhvillim.

“Dialogu ka mbetur aty ku ka qenë, ka mbetur aty ku e ka gjet Qeveria Kurti. Nuk ka ndonjë zhvillim domethënës. Ne vazhdimisht e shohim që ka takime, por nuk ka arritje të caktuara të marrëveshjeve, pra ne po flasim në pozicionet e njëjta që kanë qenë”, theksoi ai.

“Serbia kërkon vazhdimisht që të zbatohet marrëveshja dhe të krijohet Asociacioni, në anën tjetër e kemi pozicionin e Kosovës që nuk duhet të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe të  respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar Demhasaj.

Sipas Haxhollit, në vend të avancimit, diskutimet në kuadër të dialogut u rikthyen vite mbrapa tek temat si targat e veturave për të cilat ishin arritur marrëveshje në fillim të këtij procesi.

“Nga ana e të dyja palëve nuk pati vullnet politik për të lëvizur përpara në normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi ajo.

Duke folur për çështjen e targave analisti Arton Demhasaj ka thënë se në këtë drejtim ka pasur evoluim.

“Nëse flasim për pika të caktuara në proces të dialogut siç është çështja për targat, normalisht që mundemi me thënë që ka pas një evoluim për shkak se është arritur një marrëveshje e përkohshme që me u vendos tiketat në targa njëjtë qysh i vendos Serbia për  ne, njëjtë edhe ne për të, mirëpo kjo nuk është një marrëveshje përfundimtare. Procesi i dialogut për këtë çështje ende është duke vazhduar”, theksoi ai.

Në dialogun e nisur në vitin 2011 mes Kosovës dhe Serbisë janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje të ndryshme, por pak prej tyre kanë arritur të zbatohen.

Përveç kësaj, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian patën deklaruar se marrëveshja përfundimtare mes të dyja vendeve mund të arrihet brenda muajsh, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sa i përket palës kosovare, hulumtuesja nga KDI thekson se ndonëse pati një qasje të re në dialog me zgjedhjen e qeverisë së re në prill të këtij viti, propozimet që qeveria i parashtroi në kuadër të dialogut u refuzuan nga pala tjetër.

“Prandaj takimet që u mbajtën në kuadër të këtij procesi ishin kryesisht të nivelit teknik. Në kuadër të këtyre bisedimeve u arrit një dakordim i ri për targat e veturave, mirëpo as kjo çështje nuk u mbyll me një zgjidhje të përhershme gjatë këtij viti”, tha ajo për KALLXO.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq janë takuar disa herë në kuadër të dialogut, por pas takimeve kanë deklaruar se nuk kanë pasur përafrim qëndrimesh.

Nga BE-ja insistuan që mes tyre të ketë një takim këtë fundvit, por i njëjti nuk është mbajtur.

Më 15 qershor në takimin Kurti-Vuçiq, kryeministri Albin Kurti kishte dhënë 4 propozime, 3 nga të cilat kishte thënë se iu janë refuzuar. Një prej tyre ishte që Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes.

Analisti politik, Demhasaj ka shtuar se edhe në vitin e ardhshëm pritet të ketë presion për Asociacionin.

“Me gjasë edhe viti 2022 do të jetë një vit i presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës që të zbatojë marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin. Mbetet të shihet kjo çështje a do të jetë temë e marrëveshjes finale që po pretendohet të arrihet që me gjasë gjatë 2022 mund të kemi një epilog sa i përket kësaj çështje”, përfundoi ai për KALLXO.com.

Kurse hulumtuesja Haxholli shton ka vazhduar qëndrimi i njëjtë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

“Ndërsa, kërkesa e Serbisë ndaj Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit vazhdoi gjatë tërë vitit, ndonëse Serbia vazhdoi bllokadat në zbatimin e shumicës së marrëveshjeve të dialogut”, vlerësoi ajo.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga marrëveshjet më të diskutueshme në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja.

Kjo është rënë dakord nga palët në proces, por nuk është zbatuar asnjëherë, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës shprehu rezerva për disa pika. Serbia insiston që ajo të zbatohet.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, procesi i dialogut nuk ka qenë i padobishëm.

Në një konferencë për fundvit para gazetarëve, Kurti e përmendi si arritje çështjen e targave.

“Është e vërtetë që janë zhvilluar dy takime, mirëpo procesi i bisedimeve nuk ka qenë i padobishëm, atje kemi arritur një marrëveshje për targat”, tha kreu i qeverisë.

Në shtator të këtij viti është arritur marrëveshja për targat mes Kosovës e Serbisë, pas një sërë tensionesh në veri të vendit ku banorët lokal serb bllokuan dy pika kufitare mes të dyja vendeve, kur Qeveria e Kosovës vendosi masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e veturave.