Njëra nga pozitat në Këshillin Drejtues të UP-së mund të jetë në konflikt të interesit  

Disa javë para shpalljes së zgjedhjeve për rektor në Universitetin e Prishtinës, Ministri i i ri i Arsimit, Ramë Likaj vendosi të ndryshojë përfaqësuesit e MASh në Këshillin Drejtues të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Në qershor, Kosova ndryshoi përbërjen e qeverisë dhe bashkë me të ministrin e Arsimit. Në vend të Hykmete Bajramit të LDK-së në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencë, u vendos Ramë Likaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndër vendimet e para të Likajt, pas emërimit është vendimi i datës 24 qershor me të cilin ministri emëroi si anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së Mimoza Hasani-Pllanën, Ujkan Bajrën, Merita Bogën dhe Arton Demhasën i cili njëkohëshist është drejtor në organizatën jo-qeveritare “ÇOHU”.

Këshilli në përbërjen e re pritet të vendosë për kandidatët për rektor, një pjesë e të cilëve kaluar një të kaluar të angazhimit politik. 

Deri më tani është raportuar për lidhje politike të kandidatit për rektor të UP-së, Zenun Halili, i cili ka qenë në garë për deputetë të Kuvendit të Kosovës në vitin 2014 nga partia AAK, parti që tashmë edhe e drejton Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës .

Kurse, kandidati tjetër për rektor, Naser Sahiti ka qenë po ashtu në kandidatë për deputetë në vitin 2007 nga partia e Behgjet Pacollit, AKR.

Zgjedhja e anëtarëve të KD-së ka ngritur dyshimin se pozita e drejtorit të organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj në Këshillin Drejtues mund të shihet si konflikt interesi.

KALLXO.com ka zbuluar vitin e kaluar se Agjencioni Kundër Korrupsion kishte ndërhyrë kur në këshill drejtues të UP-së ishte emëruar Laura Kryeziu-Selimi sepse ajo ishte edhe drejtoreshë e një organizate joqeveritare, gjë që parashihte konflikt interesi për pozitën e re. 

Sipsa vendimit të AKK-së që është publikuar me 11 dhjetor 2019, mbajtja e pozitave udhëheqëse në OJQ i sjell antarët e KD të UP-së në situatë të konfliktit të interesit.

Në atë kohë, Agjencia Kundër Korrupsion e kishte detyruar Kryeziu-Selimi që të japë dorëheqje nga pozita e drejtoreshës ekzekutive të organizatës “LGC” ngase 

të qenurit anëtarë të KD të UP-së ishte konflikt interesi, më saktësisht kjo ishte në kundërshtim me nenin 13 dhe 14 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Nëse i njejti princip vlen edhe për të tjerët, Demhasaj do të duhej të jep dorëheqje prej njërit post, sipas interpretimit që AKK i kishte dhënë Laura Kryeziut në dhjetor 2019.  

KALLXO.com ka kontaktuar anëtarin e Këshillit Drejtues të UP-së dhe drejtorin ekzekutiv të organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj për ta pyetur nëse do të japë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv në organizatë dhe nëse e konsideron këtë çështje konflikt interesi.

Demhasaj ka thënë se nuk e konsideron këtë çështje si konflikt interesi dhe sipas tij nëse anti-korrupsioni konstanton një gjë të tillë, do të ndërmarrë veprime.

“Unë kam kryer obligimin tim dhe kam deklaruar pasurinë, ashtu siç me obligon ligji për deklarimin e pasurisë. Nëse AKK konstaton qe pozita ime në ‘Çohu’ është konflikt interesi me atë të anëtarit në Këshillin Drejtues të UP, gjë të cilën unë nuk e konsideroj si të tillë, sepse nuk shoh askund konflikt interesi mes Organizatës që udhëheqi dhe pozitës në Këshill Drejtues të UP-së, unë pa fije dyshimi që do ta respektoj në plotësi atë vendim”, ka deklaruar ai për KALLXO.com.

KALLXO.com po ashtu ka dërguar pyetje në drejtim të Agjencisë Kundër Korrupsion për ta pyetur nëse një situatë e tillë, përmban konflikt të interesit dhe lidhur me këtë çështje jemi duke pritur përgjigje.

Këshilli Drejtues i UP-së aktualisht është i përbërë nga: Mimoza Hasani – Pllana, Ujkan Bajra, Arton Demhasaj, Merita Bogaj, Alberta Troni, Naser Kabashi, Kemajl Bislimi dhe Bedri Tahiri.

Këshilli Drejtues është organi më i lartë drejtues i universitetit më të madh publik në vend. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv, institucional të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në të njejtën kohë KD është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij. Këshilli Drejtues është përgjegjës për buxhetin, personelin dhe infrastrukturën e UP-së.

Si autoriteti kryesor qeverisës i UP-së, Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë, katër anëtarë emërohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe pesë zgjidhen nga Senati, nga radhët e personelit akademik të Universitetit.

Sa i përket anëtarëve të emëruar nga Ministria e Arsimit, pothuajse çdo ministër që ka ardhur në pushtet ka shkarkuar anëtar të bordit dhe i ka dërguar disa të tjerë.

Një gjë të tillë e ka bërë, ministri i ri i Arsimit, Ramë Likaj, me emërimin e 26 qershorit.

Një retorikë të njëjtë të shkarkimeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së e kishte bërë edhe ish-ministrja, Hykmete Bajrami duke i shkarkuar anëtarët që ishin emëruar nga ish-ministri, Shyqiri Bytyqi, por edhe ky e fundit e kishte bërë një gjë të tillë duke shkarkuar anëtarët e ish-ministrit tjetër të Arsimit.

Hykmete Bajrami shkarkon anëtarët e KD të UP-së që i emëroi Shyqiri Bytyqi

 

Ministri Shkarkon Anëtarët e MASHT-it në Bordin e UP-së

.