Ish kryeministri Isa Mustafa dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nënshkruajnë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë në gusht 2015

Asociacioni, sherre të reja për temën e vjetër

Rikthimi i temës së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në dialogun Kosovë-Serbi po kundërshtohet fuqishëm me pretekstin se hapja e kësaj teme shkon në dëm të Kosovës dhe mundëson krijimin e një entiteti brenda territorit të Republikës së Kosovës njëjtë si Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Rikthimi i temës së Asocioacionit është përmendur se do të hapet këtë të enjte në nivel të ekspertëve të dy vendeve por kjo gjë është mohuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kundër hapjes së kësaj teme është edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Baraliu tha për KALLXO.com se kjo çështje edhe kur është lidhur marrëveshja e parë dhe e dytë ka qenë një prej çështjeve antikushtetuese dhe që nuk është dashur të lidhet marrëveshje me Serbinë.

Sipas tij, kjo temë prek direkt në Kushtetutën e Kosovës dhe e krijon një pushtet të ndërmjetmë.

“Rihapja e kësaj teme tani është dëm i pakompensueshëm që i bëhet Kosovës. Kjo çështje nuk meriton të trajtohet e as nuk ka bazë Kushtetuese e ligjore për t’u trajtuar pasi që kjo çështje në 23 pika është konstatuar nga Gjykata Kushtetuese se i shkel parimet dhe dispozitat e saj”, tha Baraliu.

Edhe analisti Arton Demhasaj thotë se rihapja e temës së Asociacionit në Bruksel shkon në dëm të Kosovës.

Demhasaj tha për KALLXO.com se për marrëveshjen e nënshkruar për krijimin e Asociacionit, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk duhet të diskutohet përtej atij vendimi.

“Dhe çdo gjë që mund të diskutohet përtej atij vendimi mendoj që është shkelje kushtetuese dhe nuk duhet në asnjë mënyrë me ndodh kjo. Krijimi i Asociacionit mundet me ndodh vetëm në përputhje me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, çdo tentativë për me tejkalu atë vendim është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese”, tha Demhasaj.

Sipas tij, Kosova duhet të zotohet që do ta krijojë Asociacionin në përputhje me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe “nuk ka çka diskutohet më për këtë temë”.

Kundërshtimet e Presidentit Thaçi për hapjen e temës së Asociacionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte shprehur kritik për rihapjen e temës së Asociacionit në dialogun me Serbinë.

Presidenti gjatë një deklarimi për media rikthimin e kësaj teme e kishte parë si kthim prapa Kosovën.

Gjatë ditës së sotme, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës kishte lëshuar një deklarat duke thënë se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.

“Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Sipas kësaj shkrese nga zyra e Presidenti, thuhet se askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë.

“Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, thuhet tutje.

Në komunikatë thuhet se diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Tutje thuhet se diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë.

“Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, thuhet në këtë njoftim.

Edhe kundërshtimi i Presidentit për këtë temë është kritikuar duke u parë jo i arsyeshëm.

Analisti Arton Demhasaj tha se deklarimet e Presidentit për këtë temë nuk janë hiç reale dhe të drejta për shkak se vet ai e ka arritur këtë marrëveshje në vitin 2013.

“Kështu që çdo deklarim që ai e bënë nga pozicioni i tij mendoj që është hiç korrekte”, tha Demhasaj.

Kurse për Mazllum Baraliun, reagimi i Thaçit është i pranueshem pasi sipas tij gabimi është njerëzor.

“Të gabosh është njerëzore, ai ka gabu atë herë sepse i pari e ka nënshkru marrëveshjen e parë të prillit (2013) dhe pastaj të dytën e ka nënshkru ish kryeministri Mustafa. Këto janë gabime të mëdha që i kanë bërë ato udhëheqje. Tash është mirë që është vetëdijesu dhe e ka vërejtur”, tha ai.

Baraliu thotë se është mirë që edhe Presidenti i vendit është kundër kësaj teme sepse nuk duhet pranuar që Asociacioni të shtrohet në tryezë.

“E krijon një Republikë Serbe në Kosovë e bosnjëzon Kosovën dhe e bën shtetin e Kosovës totalisht jo funksional të paqëndrueshëm dhe pa perspektivë”, përfundoi Baraliu.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli gjatë një konference për medie i ka bërë Presidentit që ta tërheqë nënshkrimin e marrëveshjes në vitin 2013 dhe të ftojë ish-partinë e tij PDK-në që të nënshkruajë mocionin për rrëzimin e qeverisë Hoti.

Kundërpërgjigjjet e kryeministrit për temën e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti nuk ka dashur të komentojë deklaratat e Presidentit i cili e kishte quajtur rrezikshëm takimin e paralajmëruar të kryeministrit Hoti në Bruksel.

“Isha mjaftë i qartë që nga fillimi, edhe e kam thënë të vërtetën e plotë për procesin, deklarimet që i bëjnë zyrtarët e ndryshëm janë çështje e tyre, nuk du të merrem më deklarime të tilla, mendoj që është humbje kohe të merrem me deklarime të pabaza dhe të paqena”, tha ai në një diskutim të organizuar nga KDI për dialogun Kosovë-Serbi.

Kryeministri Hoti po ashtu, duke iu referuar marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, tha se “nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë” .

Hoti po ashtu tha që në dialog nuk do të diskutohet as për territorin.