Kadri Veseli e Ramiz Lladrovci | Foto: Facebook

Lladrovci: Asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit tanë nuk do të ketë sukses

Kryetari i Komunës së Drenas, Ramiz Lladrovci nga radhët e PDK-së, është shprehur i shqetësuar për lajmin se ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit është ngritur aktakuzë nga Dhomat e Specializuara.

Lladrovci e ka quajtur lajm të padrejtë, pasi që sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë e pastër dhe e drejtë.

Gjithashtu sipas tij, asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit tanë, në asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund të ketë sukses.

“Në kohën kur presim që shteti ynë të marrë përkrahje për fuqizimin e shtetësisë, sundimin e ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, ne marrim lajm të padrejtë, nga institucioni i drejtësisë! Dy udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, deri më tani ishin të vetmit që nuk janë ndjekur penalisht. Lajmi tronditës se do të akuzohen, më shqetësoi pa masë. Tashmë, të gjithë drejtuesit madhor të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen. Edhe drejtësia ndërkombëtare e di, ashtu sikurse të gjithë ne e dimë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë e pastër dhe e drejtë”, ka shkruar Lladrovci në rrjetin social “Facebook”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët. Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë. Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.