Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lirohen aktivistët e PSD-së

Policia e Kosovës i ka liruar aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) pas protestës sot në Prishtinë, gjatë konferencës për media të kryetares së Gjykatës Speciale.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Me vendim të prokurorit të shtetit ndaj dy të dyshuarve është iniciuar hetim për veprën penale ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’ përderisa ndaj të gjithëve është iniciuar ‘Procedurë Kundërvajtëse’. Të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka shtuar ai.

Borovci ka bërë të ditur kronologjinë e rastit të sotëm me aktivistët e PSD-së.

“Rreth orës 10:00 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash, të ndodhur në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë. Veprimet që kanë karakterizuar këtë aktivitet kanë determinuar reagimin policor dhe për rrjedhojë pesë nga këta persona janë shoqëruar në stacionin policor”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas zëdhënësit të Policisë, hetuesit policor të udhëhequr nga prokurori i shtetit kanë kryer veprimet preliminare hetimore me qëllim të sqarimit  dhe ndriçimit të plotë të rrethanave që kanë  karakterizuar ngjarjen.

Përderisa brenda po mbahej konferenca për medie e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, jashtë Policia ka arrestuar aktivistë të PSD.

Arsyeja e arrestimit të aktivistëve është protestimi i tyre kundër krijimit dhe mandatit të Gjykatës Speciale.

Të njëjtit në shenjë revolte kanë vendosur ngjyrë në veturat e zyrtarëve të EULEX-it.

Pamje nga arrestimi i aktivistëve të PSD-së pasi vendosën ngjyrë mbi veturat e EULEX-it (VIDEO)