Parku i aventurave

Kundërshtohet mosndalja e punimeve në 'parkun e aventurave' në Gërmi

Ka dështuar për herë të dytë në votim të Kuvendit të Komunës së Prishtinës ndalja e punimeve në ‘parkun e aventurave’ në Gërmi.

Pika e futur në rend dite nga asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kaloi pasi mori vetëm dy vota për ndalje të punimeve, kurse 31 ishin kundër ndaljes së punimeve.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i disa aktivistëve si Flutra Zymi dhe Valbona Mustafa të cilat kanë qenë në vazhdimësi të zëshme kundër këtij parku, i cili sipas tyre dëmton zonën e mbrojtur të parkut Gërmia.
Madje, aktivistja Flutra Zymi përmendi edhe shkuarjen në gjykatë për këtë çështje e cila sipas saj përbën shkelje ligjore.

“Se sa vlen qytetari, sot asamblistët e Kuvendit Komunal në Prishtinë e treguan me votën e tyre duke votuar 31 për Parkun e Aventurave në Parkun e Gërmisë dhe vetëm dy kundër. Edhe pse tash e një muaj rresht që të gjithë ishin të njoftuar me çdo shkelje ligjore, duke ju shpjeguar dokument për dokument, pikë për pikë secilin ligj dhe nen, duke injoruar rekomandimet e Institutit ku thotë të pritet plani menaxhues i Parkut, kjo nuk u mjaftoi asamblistëve ta refuzojnë, sepse tek ne vota në Kuvend është për interesa personale, jo për qytetarin. Mirë, shihemi në gjykatë që të gjithë sepse, ne qytetarët nuk do të lejojmë që ligji të zbatohet vetëm qysh ju konvenon interesave tuaja. Nuk do të ndalemi deri në gjykatën më të lartë e sidomos që në këtë rast kemi të bëjmë me një investim të një shteti ku është i informuar për shkelje ligjore”, ka shkruar Zymi.

Kjo pikë ka qenë temë diskutimi edhe në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal në muajin janar, ku prezent ka qenë edhe kryetari, Shpend Ahmeti.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për detajet e këtij ‘Parku të Aventurave’ i cili do jetë në bashkëfinancim me zyrën zvicerane për Kosovë, Swiss Contact.

Ky park pritet të përfshijë rreth 70 ari me disa sfida që janë të ngritura prej tokës, me shteg të ecjes që thuhet se nuk do dëmtojë bimësinë e parkut. Shtrirja e tij parashihet të jetë nga fshati Butovc në drejtim të Gërmisë.

Më poshtë mund të gjeni detaje se si do duket ky park.

FOTO – Kështu do duket ‘Parku i aventurave’ në Gërmi