Festivali ‘FemArt’, do mbajë edicionin e 9-të

Me moton “F… Sexism” nga 20 deri më 25 shtator 2021, do të mbahet në Prishtinë edicioni i 9-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve, “FemArt”.

Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis”, e cila e organizon këtë festival, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se përmes “FemArt” synohet eliminimi i pabarazisë, dhunës e etiketimeve në baza gjinore.

“Këtë vit fuqia jonë krijuese është thirrur në veprim për të luftuar padrejtësitë në emër të dallimeve gjinore. Artiste dhe aktiviste nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare do të mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste”, thuhet në komunikatë.

Nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat, deri në ndeja dhe rebelime, “Artpolis” synon këtë edicion të “FemArt” trajtimin e të drejtat e grave si të drejta të njeriut.

Synimi është, thuhet më tej në komunikatë që përmes artit të arrihet barazia, qoftë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore.

“Këtë vjeshtë, gjatë ditëve tona të festivalit më 20-25 shtator, 2021 me ndihmën e të gjithë aktivisteve dhe artisteve feministe, ne do të demonstrojmë fuqinë e veprimit kolektiv, mendimit kritik dhe rebelimit krijues. Përgatituni të shihni shfaqje, ekspozita, kërcime dhe këngë, panele diskutimi, podkaste përmes të cilave do të dekonstruktojmë seksizmin në të gjitha format e tij dhe do të mendojmë përmes veprimeve dhe mosveprimeve drejt një jete të barabartë për të gjithë, pavarësisht dallimeve tona si njerëz”, thuhet në komunikatë.