Policia demanton AAK-në, nuk u arrestuan aktivistët e saj

Një aksion para Kuvendit të Kosovës ku disa aktivistë vendosën një arkivol me disa shkrime, përfundoi me shoqërimin e aktivistëve në Polici.

Gjatë ditës, deputetë të AAK-së reaguan për kinse arrestimin e aktivistëve që zhvilluan aksionin.

Burime të KALLXO.com mësojnë se aktivistët e AAK-së janë shoqëruar në stacion me urdhër të prokurorit, në cilësinë e dëshmitarit për të sqaruar rrethanat në lidhje me vendosjen e arkivolit para qeverisë.

Pas marrjes së deklaratave të dëshmitarëve është njoftuar prokurori i shtetit dhe të njëjtit më pas janë lënë të lirë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Zyra për Informim e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

“Rreth orës 11:30, nga njësite policore te stacionit Qendra, janë shoqëruar  katër  persona, për një aktivitet që është mbajt sot në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Intervistimi  i organizatoreve të aktivitetit dhe largimi i arkivolit është bërë me urdhër të  Prokurorit te shtetit”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Tutje policia ka bërë të ditur se personat janë intervistuar ne cilësinë e dëshmitarëve dhe me pas janë liruar, ndërkohë që arkivoli pas ekzaminimit nga ana e njësiteve kompetente është larguar nga vendi i ngjarjes.

Aktiviteti i aktivistëve të AAK-së nuk ka qenë i paralajmëruar.

Aktivitete të tilla në bazë të ligjit për tubime publike do të duhej të lajmëroheshin në Stacionin më të afërt të policisë.

AAK: Janë arrestuar aktivistët tanë