Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kelkos heq dorë nga paditë ndaj aktivistëve Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi

Kompania Kelkos Energy ka hequr dorë nga padia ndaj aktivistëve të mjedisit, Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi.

Rina Kika, avokate e aktivistëve ka thënë sot gjatë një konference për media se dy ditë më parë është kontaktuar nga avokatët e Kelkos-it të cilat e kanë njoftuar se kanë hequr dorë pa asnjë kusht nga padia ndaj aktivistëve.

“Të hënën avokatët e Kelkos Energy na njoftuan zyrtarisht se kanë vendosur të heqin dorë nga këto dy padi menjëherë dhe pa asnjë kusht. Heqja dorë nga këto dy padi është fitore e lirisë së shprehjes, Paditë ndaj këtyre aktivistëve janë padi – Slap, apo padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të cilat synojnë të heshtin zërat kritikë nga kjo kompani dhe operimeve të saja në Grykën e Deçanit”, ka thënë avokatja Kika.

Ndërsa, aktivistja Shpresa Loshaj ka thënë para mediave se edhe përkundër se Kelkos ka hequr dorë nga padia, nuk ka hequr dorë nga, siç ka thënë ajo, operimi i paligjshëm në Deçan.

“Asgjë nuk ka ndërruar në Grykën e Deçanit. Kelkosi po vazhdon ta degradojë Grykën dhe Lumbardhin e Deçanit, sepse po operon kundërligjshëm, kundër vendimit që e ka nxjerrë Gjykata Supreme e Kosovës se hidrocentralet e Kelkos-it nuk mund të operojnë në këto kushte. Që prej së është nxjerr vendimi i Gjykatës e deri sot Kelkosi asnjëherë nuk ka ndaluar së vepruari, kështu që unë i kam marrë vendimet e Gjykatës dhe do të shkojë t’ ia dorëzojë ministrit (MMPHI), Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe kryesueses së Grupit Parlamentar për mjedisin”, ka thënë ajo.

Loshaj ka bërë të ditur se ministri, ZRE-ja do të përballen me padi nëse nuk zbatojnë vendimin e Supremes.

Kurse, Mexhuide Demolli Nimani, nga Lëvizja Fol ka thënë se gjatë këtij viti ka pasur rritje të padive ‘Slap” – padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike.

Një gjë e tillë, sipas saj është evidentuar edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për këtë vit.

“Raporti vlerëson se këtë vit kishte raste ‘Slap’ të padive të ngritura në gjykata, padi këto që përdoren për të frikësuar gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile. U bëjë thirrje të gjithë gazetarëve dhe aktivistëve që janë të paditur me padi ‘Slap’ që të lajmërohet tek Lëvizja FOL e cila u ofron asistencë juridike për ballafaqim me këto padi”, ka thënë ajo.

Aktivistët thanë se do të vazhdojnë angazhimin e tyre në mbrojtje të mjedisit.

Në verën e kaluar Kelkos me padi për shpifje kishte kërkuar 10 mijë euro nga Adriatik Gacaferri. Ndërsa në mars të këtij viti me padi kishte kërkuar nga Shpresa Loshaj 100 mijë euro për ‘dëmtim të reputacionit’.

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com