Peter Stano

Letra e Serbisë në Bruksel, deklarohen nga BE-ja

Bashkimi Europian ka konfirmuar se ka pranuar versionin përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Ana Brnabiq. Në media ishte raportuar se Brnabiq përmes letrës ka thënë se vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

Ndonëse BE-ja nuk ka zbardhur përmbajtjen e dokumentit, zëdhënësi i unionit europian, Peter Stano për KALLXO.com, thekson se marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët.

“Në përgjithësi, ne nuk e komentojmë përmbajtjen e korrespondencës me BE-në. Megjithatë, mund të konfirmojmë se BE-ja ka marrë një version përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Brnabiq. Bashkimi Evropian përsërit se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”- ka thënë Stano për KALLXO.com.

Stano thotë se marrëveshja me aneksin e zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, me datë 18 mars 2023.

“Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, të datës 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste”- ka shtuar zëdhënësi i BE-së.

Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e kishin arritur më 27 shkurt të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurse, më 18 mars ishin pajtuar në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Por, ato marrëveshje nuk u nënshkruan pasi një gjë e tillë u refuzua nga presidenti Vuçiq.

BE vazhdimisht ka kërkuar nga të dyja palët që të zbatojnë gjithçka të dakorduar.

Serbia “zyrtarizoi dështimin e dialogut” me letrën në Bruksel