Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Leposhtica: Ende nuk është zbardhur asgjë për votat e helmuara nga Serbia

Për më shumë se një vit e gjysëm që nga helmimi i zyrtarëve të KQZ-së gjatë verifikimit të votave të ardhura nga Serbia, ende nuk dihet asgjë se deri ku kanë shkuar hetimet e organeve të drejtesisë së Kosovës.

Zyrtari ligjor i KALLXO.com, Labinot Leposhtica gjatë emisionit “KALLXO Pernime” deklaroi se nuk dihet nëse votat ishin të helmuara në Kosovë apo jashtë vendit.

“Kemi bërë përpjekje me marr informacion nëse ka ndonjë të intervistuar, me përjashtim të të intervistuarve në fillim që janë 20, se a kanë bërë ndonjë ekspertizë. Definitive është se nuk kemi aktakuzë, të akuzuar apo të arrestuar për këtë rast. Rasti nuk është zbardhur. Siç ndodh rëndom në Kosovë “hetimet vazhdojnë”. Ka me ndodhë edhe ndonjë aferë ndoshta, e i bashkojnë rastet. Njëra prej çështjeve kryesore që ka mbet me u zbardh, është esenciale, nëse zbardhet momenti kur është inflitru helmi në dosje apo në kuti, zarfe kjo ka me zbardh rastin kryesor edhe kryesin. Dihet se si kanë ardh në kufi, e si janë transferu në kuti, tash, nëse zarfet kanë qenë të mbyllura, shtrohet pyetja ku ka qenë helmi”, u shpreh Leposhtica.

Lidhur me këtë, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi ndërhyri duke thënë se nuk kanë informacione për rastin pasi që thotë se “kemi prokurorë lepuj”.

“Një vit e gjysëm mos me mujt me zbardh një çështje të thjeshtë. Nëse ka helm nga erdhi, e kush është”, deklaroi Kurteshi.

www.kallxo.com