Mentor dhe Ruzhdi Ramadani, Foto: KALLXO.com

Lëndimi në vendin e punës në 2016-ën, gjykata vendos për herën e dytë

Beteja gjyqësore mes Mentor Ramadanit nga Ferizaj dhe kompanisë “EURO ABI” me pronar Kadrush Rexhepi për kompensim dëmi lidhur me një aksident në vendin e punës në këtë kompani, ka marrë një epilog për herë të dytë nga Gjykata e Ferizajt.

Mentor Ramadani ishte lënduar në vendin e punës në këtë kompani më 10.11.2016, dhe kishte ushtruar padi më 14.03.2017 në Gjykatën e Ferizajt për kompesim të dëmeve të shkaktuara nga aksidenti në vendin e punës.

Gjykata e Ferizajt kishte vendosur më datë 27.12.2018 që shuma e cila i takonte Mentor Ramadanit për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në këtë aksident ishte 55 mijë e 828 euro e 58 cent.

Ky rast ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit pasi kjo Gjykatë kishte konstatuar se vendimi i Gjykatës Themelore ishte me shkelje thelbësore të rregullave kontestimore.

Tutje, Apeli kishte vlerësuar se shkalla e parë nuk kishte bërë sqarimin e duhur të bazës juridike të kërkesë padisë.

Trupi gjykues i Apelit që kishte gjykuar këtë çështje përbëhet nga Nehat Idrizi- kryetar i kolegjit, Burim Shala dhe Hunaida Pasuli – anëtarë të kolegjit.

Pasi ky rast është kthyer në rivendosje, Gjykata e Ferizajt ka vendosur se shuma që Mentor Ramadanit i takon për dëmet jomateriale dhe materiale që i ka pësuar në aksidentin në fjalë është 44 mijë e 880 euro.

Ky rast në shkallë të parë është trajtuar nga gjyqtari Bekim Salihu.

Ndaj vendimit të Gjykatës, paditësi ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit për herë të dytë duke e kundërshtuar pjesërisht aktgjykimin si dhe duke kërkuar shumën prej 150 mijë e 673 euro në emër të dëmit material dhe atij jo material.

Përveç kësaj, paditësi ka kërkuar kompensim prej 25 mijë euro, (secili veç e veç nga 12 mijë e 500 euro) për prindërit e tij në emër të dhimbjes shpirtërore për shkak të invaliditetit të birit të tyre.

Këtë kërkesë e kishte gjetur si të pathemeltë gjykata e shkallës së parë në vendimin e nxjerrë më 08.04.2024.

Kadrush Rexhepi ishte gjetur fajtor dhe dënuar me gjobë me 3 mijë euro nga gjykata e Ferizajt më 27.01.2023 për falsifikim të kontratës së punës së këtij punëtori.

Mirëpo kjo nuk është çështja e vetme penale që pronari i “Euro Abit” është përballur me drejtësinë për këtë punëtor.

Ndaj Kadrush Rexhepi kanë rënduar edhe akuzat për veprën penale të asgjësimit, dëmtimi ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës.

Sipas dosjes së prokurorisë në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i kishte siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.

Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinë punues në firmën “Euro-Abi”, kishte qenë duke bartur një panel-llamarine të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë.

Edhe në këtë gjykim, i dëmtuari Ramadani kishte shprehur se i është falsifikuar nënshkrimi dhe nuk ka pasur kontratë pune.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Në lidhje me këtë rast, prokurori Ramiz Buzhala ishte ndëshkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të cilit i është shqiptuar një masë disiplinore.

Rezultati këtij ndëshkimi kishte ardhur si pasojë se prokurori Buzhala gjatë trajtimit të rastit, e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës, në mënyrë që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale ndërsa pronari i një biznesi të dënohet më pak.