Foto: KALLXO.com

Lekaj: Beogradi nuk e ka pushuar luftën asnjëherë ndaj Kosovës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka shprehur mbështetjen ndaj “luftëtarëve të lirisë”, të cilët sipas tij padrejtësisht janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale, duke thënë se Beogradi nuk e ka pushuar luftën asnjëherë ndaj Kosovës.

Lekaj tha se përkundër Lëvizjes Vetëvendosje e cila përmendi vetëm shefin e Grupit Parlamentar të tyre Rexhep Selimi, ai do t’i përmend të gjithë.

“Unë po i përmendi gjithë luftëtarët e lirisë që janë pa të drejtë të akuzuar në Gjykatën e Hagës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe komandant Cali”, tha ai.

Lekaj tha se Beogradi nuk e ka pushuar luftën asnjëherë ndaj Kosovës.

“A duhet të prisnim që Serbia t’i shkoj deri në fund operacionit apo ta mbronim shtëpinë Kosovën. A duhet të luftonim apo të prisnim që Beogradi të na qonte në humnerë. Çfarë duhet të bënim ne. Sigurisht që ne bëmë zgjedhjen ton, më mirë me vdek me armë në dorë sesa me prit vdekjen që vinte prej Beogradit me na marrë të gjithëve një nga një dhe vetëm e vetëm për një arsye sepse ishim jemi dhe do të mbetemi në mot të motëve shqiptar”, tha Lekaj.

Lekaj tha se ata që tani janë vënë në bakën e të akuzuarit e dinë që Beogradi nuk e ka pushu asnjëherë luftën ndaj Kosovës.

“Dikur me ushtri e polici me paramilitar, ndërsa tani me letra, dosje, foto, e gjithçka tjetër që mundën për të fitu në paqe atë qe e humbën në luftë”, tha ai.