Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Rexhep Selimi po përballet me një padrejtësi speciale

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në fillimin e seancës sësotme të Kuvendit ka folur për paraqitjen e shefit të GP të LVV-së, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale.

Nagavci tha se Selimi po përballet me një padrejtësi speciale.

“Sot unë po flas në emër të grupit parlamentar sepse shefi ynë i grupit, Rexhep Selimi, është në Gjykatën Speciale, ku po përballet me një padrejtësi speciale. Po flas në emër të kolegut tonë që na mungon sot në Kuvend e në vend. Rexhep Selimi e afirmoi dhe e bëri publike UÇK-në”, tha ajo,

Nagavci shtoi se si LVV janë të bindur që UÇK-ja ishte dhe mbetet përpjekje e drejtë për çlirim.

“Dalshi faqebardhë edhe nga ky proces”, tha ajo.

Ish udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, dje është paraqitur para dhomave të Specializuara në Hagë.

Ai për herë të parë është ulur në bankën e të akuzuarve pasi mbi të po rëndojnë akuzat për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Selimi është deklaruar i pafajshëm para Dhomave të Specializuara.

“Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzës”, tha shkurtë Selimi.