Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK: Hetuesit do të jenë të pavarur, nuk do të zgjedhen nga prokurorët

Në #DebatPernime, kandidati për deputet, Valdet Hoxha dha zotimet e tij dhe të LDK-së për rregullimin e sistemit të drejtësisë.

Premtimet dhe zotimet e LDK-së do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

Hoxha tha se hetuesit policorë do të jenë të pavarur dhe të funksionojnë në bazë të detyrave që obligohen.

“Do ta zbatojmë ligjin dhe të sigurojmë buxhet të mjaftueshëm dhe të jenë të pavarur. Prokurori nuk do të zgjedhë hetuesin dhe hetuesi do të kujdeset vetëm për punën e tij. Ne do ta rrisim buxhetin në mënyrë që të ketë pavarësi”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha më tej ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka fuqizuar Inspektoratin Policorë të Kosovës, ndërsa suspendimi i policëve është i qartë se si duhet të bëhet dhe dihen veprat se për çfarë do të suspendohen.

“Është e qartë se kur do të suspendohet një zyrtar policor dhe ne e kemi fuqizuar Inspektoratin Policorë dhe në situata të caktuara do të ketë një afat të caktuar të suspendimit”, ka shtuar më tej ai.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Sundimin e ligjit’.

Partia Demokratike e Kosovës dhe NISMA Socialdemokrate nuk kanë pranuar të jenë pjesë e debatit.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.