Largohet tarraca e hotelit që është pronë e familjes Pacolli

Është larguar sot tarraca e hotelit “Swiss Diamond”, pronë e familjes Pacolli, në sheshin kryesor të kryeqytetit pas vendimit nga Drejtoria e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës.

Drejtoria e Inspeksionit ka publikuar fotografi të aksionit të inspektorëve, duke thënë se pas refuzimit të ankesës së palës, kjo e fundit e ka larguar nga sheshi tarracën e vendosur.

“Pas vërtetimit të vendimit të Drejtoria e Inspekcionit – Komuna e Prishtinës dhe refuzimit të ankesës së palës nga ana e Komisionit për shqyrtimin e ankesave të Komuna e Prishtinës, pala fillon largimin i tarracës (konstruksionit) të fundit që ishte i vendosur pa leje ne sheshin qendror të Prishtinës, sipas afatit të dhënë nga Drejtoria e Inspekcionit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me Selim Pacollin, por i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.

Në një përgjigje për KALLXO.com, në qershor të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte konfirmuar se kishte ndërmarrë një aksion që kishte për qëllim lirimin e hapësirave nga konstruksionet shtesë të lokaleve të cilat kishin ngushtuar hapësirat në sheshet e Prishtinës.

Drejtor i Inspekcionit, Florian Dushi kishte thënë se edhe pse kishte hasur në mirëkuptim nga shumica e bizneseve, kishte pasur një përjashtim ku bëhet fjalë për një biznes i cili kishte ushtruar ankesë në Komisionin për Ankesa.

Dushi nuk kishte përmendur se për cilin biznes po bëhej fjalë.

“Aksioni, shpesh edhe me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e bizneseve, është realizuar gati 100% me një përjashtim, e që bëhet fjalë për një rast në sheshin qendror i cili ka ushtruar ankesë pranë Komisionit për Ankesa ndaj vendimit të Drejtorisë së Inspekcionit e që ne jemi në pritje të vendimit të këtij Komisioni”, thuhet në përgjigjen e Dushit për KALLXO.com.

Me qëllim të sqarimit të rrethanave se për cilin biznes bëhet fjalë, KALLXO.com sërish kishte dërguar pyetje drejtuar Drejtorisë së Inspekcionit.

Mirëpo, në përgjigjet e drejtorit Dushi thuhet që Komisioni është në fazën e shqyrtimit të ankesës dhe kurdo që ata e kanë vendimin e gatshëm, do të njoftojnë.