Klasa mësimore, ilustrim

Prizren, Komisioni disiplinor vendos për mësimdhënësin që dyshohet se ngacmoi seksualisht nxënësen 

Komisioni disiplinor i Drejtorisë së Arsimit në Prizren ka marrë vendim për largim të përkohshëm nga puna të mësimdhënësit, që dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse, pas raportimit të KALLXO.com. 

KALLXO.com ka siguruar vendimin e komisionit, i cili është marrë më datë 15 gusht.

Sipas këtij vendimi, mësimdhënësit të dyshuar i është shqiptuar largim i përkohshëm nga puna për 6 muaj. 

Në vendim tutje thuhet se gjatë largimit të përkohshëm nga puna të punësuarit i takon e drejta e kompensimit në pagë prej 50 për qind.

“Duke u bazuar në dispozitat ligjore, komisioni disiplinor vendosi për largim të përkohshëm nga puna gjashtë muaj për mësimdhënësin XX, për shkak se rastin në fjalë janë duke e zhvilluar edhe hetimet në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë Themelore në Prizren” – thuhet në vendimin e Komisionit.

Komisioni ka gjetur se në dy klasë mësimdhënësi ka ngacmuar dy nxënëse dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve të këtyre klasëve.

Nxënëset që ka ngacmuar, në vendim thuhet se, kanë pasur ankesa për mësimdhënësin, pasi të dyjave ua ka prekur flokët dhe i ka shikuar nga mbrapa kur ato kanë dalw në tabelë të klasës, dhe të njëjtat janë ndjerë të ngacmuara.

Ndërsa, në rastet ku ka pasur dhunë fizike, kujdestarja e njërës klasë ka thënë se mësimdhënësi në fjalë ka ushtruar dhunë fizike ndaj dy nxënësve, në disa raste me shqelma. 

Dhe ashtu, siç theksohet tutje në vendim, kujdestarja e klasës tjetër, ka theksuar se herë pas here ka pasur ankesa për dhunë fizike të mësimdhënësit ndaj tre nxënësve, ku te njëri prej këtyre nxënësve ka pohuar se gjatë orës mësimore mësimdhënësi e ka tërhequr zvarrë nëpër klasë.

Mësimdhënësit i janë lexuar ankesat e nxënësve nga komisioni, mirëpo ai nuk i ka pranuar pretendimet e nxënësve, thekson Komisioni. 

Në një rast për të cilin flitet në vendim, më 1 mars të këtij viti, mësimdhënësi ka përdorur dhunë fizike ndaj nxënësve, i pyetur nga komisioni lidhur me këtë, ai ka deklaruar se ka mundësi të ndodhë nëse është i padisiplinuar për shkak të prishjes së qetësisë në klasë.

Kurse, gjatë intervistimit të drejtorit të shkollës, i njëjti ka deklaruar se për këtë mësimdhënës ka ankesa të shumta nga nxënësit për dhunë fizike, fyerje dhe ngacmim.

Ndërkaq, në intervistimin e psikologes së shkollës, thuhet se, psikologia i ka intervistuar nxënësit për dhunë, ngacmim dhe fyerje, me ç’rast edhe i ka njoftuar prindërit.

Në fund të muajit korrik, KALLXO.com kishte raportuar rreth dyshimeve se një nxënëse e mitur është ngacmuar seksualisht nga një mësimdhënës në Prizren.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 24 prill dhe tashmë janë bërë tre muaj që po trajtohet dhe hetohet edhe nga Policia dhe Prokuroria.

Dyshohet se ngacmoi një nxënëse të mitur, pezullohet nga puna mësimdhënësi në Prizren – rasti po hetohet në Prokurori